Norvegji, super-stërvitja e NATO-s në fazën finale

schedule09:48 - 1 Nëntor, 2018

schedule 09:48 - 1 Nëntor, 2018

Maksi-stërvitja e trupave të NATO-s, më e madhja që prej Luftës së Ftohtë, ka hyrë në fazën përfundimtare, duke angazhuar një numër rekord ushtarësh dhe mjetesh luftarake. Ndërkohë, për të bërë kontrast, Rusia ka ngritur mbi detin norvegjez dy avionë bombardues.

Ka nisur të mërkurën në Norvegji faza finale e stërvitjes masive të NATO-s. Marinsat e divizionit të dytë të Aleancës nisën sulmin amfib, që të enjten do t’i çojë në Opdal, në qendër të vendit të mbërthyer nga i ftohti dhe bora. Në Opdal do të simulohet një sulm për çlirimin e qytezës. Në stërvitje, më e madhja që nga fundi i Luftës së Ftohtë, marrin pjesë rreth 50 mijë ushtarë nga 31 vende të NATO-s, 250 avionë, 65 anije dhe 10 mijë mjete të tjera ushtarake. “Kjo është një stërvitje e karakterit mbrojtës, për të testuar kapacitetet tona në një ambjent armiqësor, i karakterizuar nga kushte të vështira moti”, sqaroi gjenerali David Furnes, drejtues i divizionit të dytë të marinsave.

Por stërvitja është edhe një sinjal dërguar Rusisë, në një kohë marrëdhëniesh të tensionuara mes Perëndimit dhe Lindjes. Nga ana e saj, Moska duket se nuk po rri duarkryq. Dy bombardues “Tupolev-160” nisën një mision vëzhgimi në ujërat ndërkombëtare të detit norvegjez. Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se bëhet fjalë për një mision rutinë, që aviacioni rus bën rregullisht në ujërat ndërkombëtare të Arktikut, Atlantikut, detit të Zi, Kaspikut dhe oqeanit Paqësor./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!