“Non grata” edhe në Britaninë e Madhe, Berisha: Nuk më impresionojnë dot, ua servirën nga Tirana

schedule22:04 - 26 Korrik, 2022

schedule 22:04 - 26 Korrik, 2022

Në një takim të hapur me intelektualë, kreu i Partisë Demokratike ka komentuar edhe qëndrimet që Britania e Madhe ka mbajtur ndaj tij së fundmi. Sali Berisha u shpreh se vijon të mos impresionohet nga tentativa të tilla, ndërsa përsëriti edhe njëherë se cilado qeveri nga çdo vend i botës, nëse ka fakte kundër tij, le t’i bëjë publike.

Sipas Berishës, ashtu si në rastin e SHBA-ve, bëhet fjalë për materiale të “servirura” nga Tirana.

“Të vjen turp ta tregosh. Nuk e kam lexuar askund në romane. Kam pasur vetëm një rast në jetën time, i ngjashëm. Merret një qytetar i një shteti tjetër, ka rastisur të jetë qytetar i Mbretërisë së Bashkuar, i padënuar, i pandëshkuar kurrë në jetën e tij në atë vend. Shpallet fajtor dhe ai faj përdoret për të më sanksionuar mua. Nuk ka gjë më korruptive mbi tokë. Këtë ju garantoj që s’mund ta bëjnë ministrat e Mbretërisë së Bashkuar kurrë. Ky është një mashtrim korruptiv. Thoshte dikush e kanë hallin te Ballkani i Hapur, se është anti-serb etj. Jo, nuk ka ministër në qeverinë britanike që mund të përdorë shtetasin e tij të pafajshëm, ta fajësojë atë për t’i ngjitur fajin një tjetri. A ka njeri të qytetëruar mbi tokë që mund ta pranojë këtë? Kurrë. Ndaj dhe unë nuk i jap as tone nacionaliste, asgjë, mbaj raportin me të vërtetën. Nuk kam lexuar ndonjë rast të tillë. Asnjë shembull nuk jep, të tjerat janë deklaratat e Taulant Ballës. Shembull konkret thotë e ke pasuruar dhe e ke mbrojtur. Ai s’ka marrë asnjë qindarkë. Është hetuar nga Ina Rama dhe ka dalë i pafajshëm. Nuk gjendet në Londër kjo, gjendet në Tiranë. Londra është një elitë në tërësi e nivelit shumë të lartë, u serviret që këtej. Unë vazhdoj i paimpresionuar, duke theksuar se cilado qeveri e globit të paraqesë një fakt, një provë të vetme për atë çka flet. Të thuash unë lidhje me krimin? Unë që gjithë jetën time kam bërë betejë nga më të mërzitshmet se nuk më shkon të kap emra Shullazi këta e këta, por e bëja për t’i trysnuar, sepse ata trysnonin njerëzit. Ky problem nuk më pengon.”

Më herët gjatë takimit, lideri i demokratëve përsëriti të njëjtin qëndrim edhe ndaj SHBA-ve për të cilat tha se gjenin qoftë edhe një provë kundër tij, ai mund të largohet nga politika. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!