Gjatë takimeve që Presidenti Begaj po zhvillon në kuadër të pjesëmarrjes në Javën e Debatit të Përgjithshëm të Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Kreu i Shtetit u takua me Presidentin e Kenias, Presidentin e Botsvanës, Presidentin e Sudanit të Jugut, të cilëve u kërkoi njohjen e Republikës së Kosovës.
Fillimisht, Presidenti Begaj u takua me Presidentin e Republikës së Kenias, William Samoei Ruto. Presidentët nënvizuan se shkëmbimi i vizitave të nivelit politik, do t’i japë një shtysë zhvillimit të bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kenias, veçanërisht në kuadër edhe të organizatave ndërkombëtare.
Begaj i kërkoi Presidentit Ruto njohjen e Republikës së Kosovës, të cilën e cilësoi një faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Të njëjtën kërkesë Presidenti Begaj i ripërsëriti dhe Presidentit të Botsvanës, Mokgweetsi Masisi.
Të dy presidentët inkurajuan identifikimin e mundësive për bashkëpunim, veçanërisht në ekonomi, apo edhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Sipas Presidentit Begaj, ky takim është një mundësi për t’i dhënë një tjetër dinamikë marrëdhënieve ndërshtetërore.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj u takua gjithashtu me Presidentin e Sudanit të Jugut, Sh.T.Z. Salva Kiir Mayardit.
Begaj u ndal veçanërisht tek Republika e Kosovës, duke kërkuar njohjen e saj nga ana e Sudanit të Jugut. Sipas Kreut të Shtetit, Kosova është një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndaj duhet mbështetur që të vazhdojë të luajë të njëjtin rol edhe në vijim.