Infrastruktura globale ka pësuar hov të pandalshëm vitet e fundit e ndërkohë projektet e parashikuara për vitin 2025 do të jenë po aq surprizuese.
Këto janë 5 projektet premtuese dhe të jashtëzakonshme të këtij viti.
- ‘Sydney Fish Market’ Australi
Tregu i tretë më i madh i peshkut në botë po bëhet edhe më i madh. Ky projekt do të ndihmojë në rinovimin e një zone industriale të portit, duke sjellë dyqane, restorante dhe një park urban, ndërkohë që çatia karakteristike me valë është mbuluar me 350 panele diellore trekëndësh.
Logjistika dhe operacionet do të vendosen në bodrum, ndërsa katet e sipërme përmbajnë një treg për vizitorët dhe një sallë ankandi ku restorantet dhe shitësit bëjnë oferta për peshqit e freskët që mbërrijnë me pontone.
2. ‘The Grand Ring’ Japoni
Nga prilli deri në tetor, qyteti i dytë më i madh i Japonisë, Osaka, planifikon të presë rreth 28 milionë vizitorë për Ekspozitën Botërore 2025, ku rreth 40 shtete do të ndërtojnë sektore të personalizuara në vend. Megjithatë, thelbi i ekspozitës është vetë vendi i saj: The Grand Ring, një strukturë tërthore prej druri pritet të jetë atraksioni kryesor në Azinë e largët.
3. ‘Skypart Business Center’ Luksemburg
Europa vazhdon të promojë ndërtimet me dru, me Francën që tani kërkon që të gjitha ndërtimet e reja publike të përmbajnë të paktën 50% dru. Luksemburg, ndërkohë, është gati të mirëpresë një nga ndërtesat më të mëdha hibride prej druri në kontinent deri tani: Skypark Business Center. Ajo është dizenjuar duke përdorur dru mjaftueshëm për të mbushur gjashtë pishina olimpike, ndërsa fasada prej bakri është bërë nga 80% metal ricikluar.
Ndërtesa, faza e parë e së cilës përfundon në shkurt, përbëhet kryesisht nga hapësira zyre, përveç dyqaneve dhe një hoteli. Por oborret e nivelit të tokës do të jenë të hapura për vizitorët dhe për adhuruesit e avionëve, të cilët mund të shijojnë pamjet nga Aeroporti i Luksemburgut, që ndodhet afër.
4. ‘Oxford University’ Mbretëri e Bashkuar
Universiteti i Oksfordit në Mbretërinë e Bashkuar mund të lidhet ngushtësisht me arkitekturën madhështore gotike, por një ndërtesë e re e ‘shkencave të jetës’ përfundon projektin më të madh ndërtimor që është realizuar ndonjëherë në historinë e këtij institucioni shumë shekullor.
Principet e dizajnit të ndërtesës ‘Life and Mind Building’ pasqyrojnë një qasje akademike: bashkimi i departamenteve të psikologjisë eksperimentale, shkencave të bimëve dhe zoologjisë nën një çati do të inkurajojë më shumë bashkëpunim dhe angazhim midis tyre. Brenda, hapësirat fleksibël të laboratorëve përshtaten me nevojat e disiplina të ndryshme, ndërsa një shesh publik ofron mundësinë për ndërveprime më të rastësishme.
5. ‘Canadian School’ Meksikë
Shkolla Kanadeze në Cholula, Meksikë, e projektuar nga firma arkitekturore Sordo Madaleno është kombinimi më i mirë i arkitekturës me peisazhin.
Shkolla është e organizuar në rreth shtatë strukturave rrethore që formojnë kodra të mbivendosura, me sipërfaqet e terracuar që ofrojnë hapësira të gjelbra për studentët për të eksploruar.
Arkitekti meksikan Fernando Sordo Madaleno tha në një deklaratë se, përveç se bashkohet me mjedisin, “ndërtesa vetë bëhet pjesë e fushës së lojërave.”
/ abcnews.al