Njësia 10 në Tiranë nesër voton elektronikisht, hapat që duhet të ndiqni

schedule21:20 - 24 Prill, 2021

schedule 21:20 - 24 Prill, 2021

Nesër në njësinë 10 në Tiranë do të implementohet për herë të parë krahas identifikimit biometrik dhe votimi dhe numërimi elektronik. Por si do të votohet nesër? Fillimisht çdo zgjedhësi në kuadër të masave anti-covid do t’i matet temperatura.

Më pas çdo zgjedhës do të paraqes kartën e identitetit e cila do të konfirmojë personin përmes identifikimit biometrik. Qytetari do të vendos në pajisje shenjat e gishtërinjve dhe do të pajiset me një fletë që përmban të dhënat e tij dhe vërteton se ai ka votuar vetëm njëherë.

Zgjedhësi shënjohet edhe në gisht si votues. Më pas zgjedhësit do t’i shfaqet në ekran një fletë e njëjtë me atë që do të ketë çdo zgjedhës në kryeqytet. Fillimisht zgjedhësi do të përzgjedh forcën politike dhe më pas në faqen e dytë që do të hapet përzgjedh kandidatin e tij të preferuar. Pasi e përfundon përzgjedhjen, votuesi verifikon fletën e printuar që është gati të bjerë në kuti. Pasi verifikon përzgjedhjen e tij, votuesi përfundon votimin.

Kujdes! Për çdo zgjedhës që do të tentojë të votojë më shumë se njëherë pajisjet e identifikimit elektronik do të sinjalizojnë dhe zgjedhësi do të përballet me sanksionet që janë parashikuar në ligj.

Zgjedhësit në njësinë 10 që do të votojnë përmes pajisjes elektronike do të kenë mundësi që nëse nuk janë të bindur për përzgjedhjen të anulojnë votën dhe të votojnë edhe njëherë përmes pajisjes.

Me vendimmarrje të dakordësuar me partitë politike, rezultati i zgjedhjeve në njësinë 10 në Tiranë ndonëse do të jetë i disponueshëm menjëherë pas përfundimit të procesit të votimit do të bëhet publik në orën 8 të mëngjesit të datës 26 prill./ Abcnews.al