Sarandë/ Vijojnë kontrollet intensive në të gjithë qarkun, goditen dy raste të paligjshmërisë nga Komisariati i Policisë Sarandë.
Sekuestrohet një sasi lënde narkotike cannabis, arrestohet 21-vjeçari që dyshohet se e shpërndante në doza, kryesisht në lokalet e natës.
Sekuestrohet një armë sportive pa leje, procedohet penalisht poseduesi që e mbante me vete në automjet.
Strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë, në zbatim të detyrave për garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe në kuadër të goditjes së veprimtarive të paligjshme, kanë intensifikuar kontrollet në të gjitha lagjet dhe akset hyrëse e dalëse të qytetit.
Si rezultat i këtyre kontrolleve të shtuara, janë goditur dy raste të paligjshmërisë, konkretisht:
Gjatë kontrolleve të ushtruara në lagjen nr. 1, shërbimet e Policisë arrestuan shtetasin Florian Gjonça, 21 vjeç, banues në Sarandë, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit cannabis sativa. 21-vjeçari dyshohet se e ndante lëndën narkotike në doza për ta shitur, kryesisht në lokalet e natës në qytetin e Sarandës.
Po në vijim të kontrolleve, shërbimet e Policisë ndaluan një automjet tip “Audi”, ku u konstatua se drejtuesi i tij, shtetasi Arkad Hadushi, 44 vjeç, banues në Sarandë, mbante në automjet një armë sportive të markës “Gamo”, pa lejen e organeve kompetente. Arma u sekuestrua në cilësinë e provës materiale dhe, në vijim të veprimeve, nisi procedimi penal në ngarkim të 44-vjeçarit.
Materialet për të dy rastet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.