“Njerëzit nuk kanë ushqim mjaftueshëm”, gazetarja shqiptare nga Turqia: Në një moment nuk i mbajta dot lotët

schedule09:02 - 13 Shkurt, 2023

schedule 09:02 - 13 Shkurt, 2023

Situata pas tërmetit shkatërrues në Turqi vazhdon të jetë e rënduar. Deri më tani numri i viktimave ka shkuar mbi 34 mijë, ndërkohë trupa të tjerë ndodhen në rrënoja.

Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, gazetarja Aida Topalli ka raportuar nga Hatay, një ndër zonat më të prekura. Ajo ka deklaruar gjendjja sa vjen e bëhet më e vështirë, pasi shumë njerëz nuk kanë as ushqime për të ngrënë. Nga ana tjetër edhe numri i çadrave të qendrimit nuk është i mjaftueshëm. Mirëpo, sipas Topallit, shpresa vazhdon të jetë për të gjithë.

“Këtu ku jam unë në Honda, është edhe vendi ku ka filluar ajo shembja, ato pamjet e tmerrshme që kemi parë ne, ato pallatet që bien si shkrepse. Është një tmerr i vërtetë.

Sot është dita e dytë këtu dhe kur unë kam ardhur ditën e djeshme, kam parë radhë të pafundme njerëzish që kërkonin ushqim. Edhe me sa pash unë, në disa nga tendat në qendër të Hatay dukej që ushqimi nuk ishte i mjaftueshëm për aq shumë njerëz që ishin në rrugë. Pastaj, ke njerëz që janë ende në të ftohtë, numri i çadrave nuk është i mjaftueshëm.

Mbrëmë kam përjetuar një emocion shumë të fortë, pasi në një moment pash disa njerëz të cilët vraponin dhe po pyesja njerëzit që më shoqëronin se çfarë ndodhi. Ka zëra jete më thanë në një nga godinat e shembura dhe realisht ishte ai momenti që ti mund të qaje. Edhe emocioni ishte shumë i fortë”, tha ndër të tjera ajo./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!