“Njerëzit nuk arrijnë ta kuptojnë”, shtatorja e re e Nënë Terezës në aeroport shkakton debat në “Bardh a Zi”

schedule21:54 - 3 Maj, 2023

schedule 21:54 - 3 Maj, 2023

Një shtatore e Nënë Terezës e vendosur në Aeroportin e Tiranës dhe e punuar nga skulptori Ilirian Shima ka shkaktuar debat në opinionin publik ditëve të fundit. Ka pasur nga ata që e kanë vlerësuar por gjithashtu kanë pasur edhe mjaft kritikues, të cilët e kanë cilësuar veprën e artit si skandaloze.

Lidhur me këtë u diskutua edhe mbrëmjen e sotme në emisionin “Bardh a Zi” në ABC News. Të ftuar ishin piktori Helidon Haliti, gazetari Arsen Rusta, pedagogu Ardian Isufi, aktivisti Redon Meksi dhe gazetari dhe piktori Eljan Tanini. Meksi tha se vepra e artit i ngjan me organin seksual të femrës.

Mirëpo, sipas Taninit artisti ka realizuar një vepër të mirë që fatkeqësisht njerëzit nuk arrijnë ta kuptojnë. Sipas tij, kjo vjen për shkak se në vendin tonë ka mungesë arti për sa i përket gjinisë femërore.Për Helidon Halitin, piktori Ilirian Shima ka përdorur disa elementë që janë risi.

Pjesë nga debati në studio:

Redon Meksi: Mua më ngjan si organi seksual i femrës. Më vjen keq që po e them po ashtu më ngjan. Po flasim për një person që është krenari kombëtare dhe normalisht paraqitet siç kanë qenë. Këtë lloj arti po e shohim kohët e fundit në të gjithë globin.

Helidon Haliti: Ne nuk e shohim kështu sepse artisti është i tillë. Artisti nuk e ka të nevojshme të provokojë në mënyrë të tillë.

Ardian Isufi: Vepra përcjell përulje.

Eljan Tanini: Një artist shqiptar bën më në fund një vepër shumë të mirë. Më në fund artisti bën diçka të bukur dhe të mirë dhe njerëzit nuk arrijnë ta kuptojnë.

Helidon Haliti: Duke marrë parasysh se ky artist është i tillë kemi tre elementë që janë risi. E para, vepra e parë publike në mermer pas asaj të Enver Hoxhës. E dyta, flasim për një artist që është vetë minimalist po sjell harmoni fetare të jashtëzakonshme sepse dihet që në fenë islame, fytyra nuk pikturohet të paktën dhe sytë.

Redon Meksi: Nënë Tereza është shenjtore e një feje.

Arsen Rusta: Thotë Nënë Tereza. Që këtu është zero skulpturë. Ajo është Shën Tereza dhe jo më Nënë Tereza.

Ardian Isufi: Problemi ynë kulturor është që pas viteve ’90, në pjesën dërrmuese kanë qenë momumentet të cilat kanë pasur hijet e realizmit socialist dhe nuk futeshin në modernizëm dhe postmodernizëm. Kjo është një vepër që i takon postmodernizmit dhe në këtë histori edhe vetë institucionet e kanë gabimin e madh.

Eljan Tanini: Gjysma e popullit shqiptar duan Nënë Terezën që e ka dorën më të madhe se fytyra. Shqipëria ka mungesë arti për sa i përket gjinisë femërore. Momentin e parë që na vjen një vepër shumë interesante…/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!