Njerëzit e këtij fisi kanë zemrat më të shëndetshme në botë

schedule21:50 - 19 Maj, 2022

schedule 21:50 - 19 Maj, 2022

Studimet kanë treguar se anëtarët e fisit Tsimané kanë zemrën më të shëndetshme në botë. Këta njerëz, të cilët jetojnë në pjesën boliviane të Amazonës kultivojnë tokën, peshkojnë dhe mbledhin fruta siç bënin paraardhësit e tyre dekada më parë para industrializimit.

Të “paprekur” nga teknologjitë moderne, ato janë interesant për shkencëtarët e të gjitha fushave. “Ata janë një eksperiment në natyrë kur bëhet fjalë për pasojat potencialisht katastrofike të jetës moderne në shëndetin tonë,” tha neuroshkencëtari Andrei Irimia.

Një studim, i publikuar në revistën Lancet, zbuloi se këta njerëz kanë zemrat më të shëndetshme. Ata jetojnë në zonën përreth lumit Manici në ultësirën Boliviane të Amazonës dhe stili i tyre i jetesës është i ngjashëm me jetën e paraardhësve të tyre që kanë jetuar disa mijëra vjet më parë.

Gjatë hulumtimit, qindra burra dhe gra nga populli Tsimané u ekzaminuan dhe u zbulua se pothuajse 9 nga 10 kanë arterie të pastra pa rrezik nga sëmundjet e zemrës. Shkencëtarët u befasuan kur zbuluan se pothuajse asnjë anëtar nuk kishte një arterie të bllokuar, edhe ne pleqëri.

Shkencëtarët arritën në përfundimin se pothuajse dy të tretat e njerëzve të moshës mbi 75 vjeç nuk kanë fare rrezik, dhe vetëm 8 për qind kanë një rrezik të moderuar të sëmundjeve të zemrës. Një studim i ri i publikuar së fundmi për shëndetin e fisit tregoi se me kalimin e moshës ata kanë më pak atrofi të trurit.

Pra se truri i tyre “kalbet” më ngadalë në krahasim me banorët e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Prandaj, ata kanë një rrezik më të ulët të problemeve njohëse, dëmtimit funksional dhe demencës. Studimi përfshiu 746 anëtarë të rritur të fisit Tsimané, të moshës midis 40 dhe 94 vjeç, truri i të cilëve u skanua për të përcaktuar vëllimin e tij.

Cili është sekreti?

Sigurisht, në dietë dhe stilin e përgjithshëm të jetesës. Edhe pse ne nuk mund të jetojmë si gjuetarë-mbledhës, ne mund të mësojmë disa gjëra prej tyre.

Të ushqyerit

Dieta e tyre bazohet në konsumimin e derrit të egër, tapirit, piranjave dhe mustakëve ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga orizi, misri dhe bananet, si dhe të gjitha llojet e frutave dhe arrave. Nëse shikojmë dietën e tyre përmes marrjes së kalorive, do të vërejmë se 72 për qind e kalorive konsumohen përmes karbohidrateve, 14 për qind përmes yndyrave dhe 14 për qind përmes proteinave.

Mënyra e jetesës

Anëtarët e këtij fisi janë fizikisht jashtëzakonisht aktivë. Ata bëjnë mesatarisht 15,000 deri në 17,000 hapa në ditë. Ata i kalojnë ditët e tyre duke gjuajtur, peshkuar, duke u marrë me bujqësi, duke mbledhur fruta dhe arra.

Burrat shpenzojnë mesatarisht 6 deri në 7 orë, ndërsa gratë 4 deri në 7 orë në aktivitete fizike. Shkencëtarët besojnë se një mënyrë jetese aktive dhe një dietë janë arsyet kryesore për një shëndet të mirë, edhe në pleqëri. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!