“Njëanshmëria minon bashkimin e demokratëve”, Bardhi: Të gjejmë një kandidat të përbashkët dhe fitues

schedule18:41 - 18 Tetor, 2022

schedule 18:41 - 18 Tetor, 2022

Gazment Bardhi ka folur për mediet pas përfundimit të mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së.

Ai nuk zbardhi detaje nga takimi me Edi Palokën, por theksoi se asnjëri nuk kishte një qëndrim të caktuar për asnjë çështje. Bardhi deklaroi se është e rëndësishme të dilet me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet vendore dhe për më tepër fitues.

Bardhi: Nuk do të zbardh në detaje atë që kam biseduar me zotin Paloka. Dua të konfirmoj që takimi ka qenë konstruktiv dhe me frymë mirëkuptimi për të gjetur një mekanizëm që siguron bashkëpunim të sinqertë mes demokratëve. Asnjëri nuk ka pasur një qëndrim të caktuar për asnjë çështje. Demokratët kanë nevojë të jenë bashkë për të mundur Edi Ramën dhe këtë proces e dëmton vetëm njëanshmëria.

Pyetje: Njëanshmëria është procesi i primareve dhe ju jeni kundër?

Bardhi: Sot kam shkëmbyer disa mendime së bashku me zotin Paloka për të gjetur një rrugë se si do bashkëpunojnë demokratët në zgjedhje. Kur flas për njëanshmëri flas për pozicione të ngurta brenda secilës palë. Nëse secila palë qëndron e ngurtë atëherë bashkimi minohet. Nuk duhet të minojmë dialogun dhe komunikimin.

Pyetje: Për çfarë qëndrojnë të ngurtë?

Bardhi: Ajo që unë po them është shumë e qartë për anëtarët e PD dhe demokratët. Do duhet që të krijohet një moment bashkëpunimi i sinqertë mes demokratëve për të gjetur një kandidat të përbashkët fitues, që i jep fitoren PD-së në zgjedhjet e ardhme lokale.

/Abcnews.al/