Një zë unik si Djego Zelka/ Rrëfehet tenori që sjell dritë nga zëri i tij: Kam hasur paragjykime, por nuk rrëzohem

schedule13:30 - 6 Shkurt, 2025

schedule 13:30 - 6 Shkurt, 2025

Thotë se muzika për të është pasion, profesion, është gjithë jeta e tij, fillimi dhe fundi i cdo dite për të. Quhet Diego Zelka, dhe vjen në këtë rrëfim në Pas Mesnatë, për të treguar se si nisi rrugëtimi i tij me artin. Mungesa e shikimit nuk e ka penguar, por thotë se i ka dhënë forcë për të vazhduar dhe për të qenë zë i fortë i skenës shqiptare si tenor. Mjeshtrja e muzikës, Suzana Turku është mbështetësja e tij më e fortë, që besoi tek ai sapo e dëgjoi të këndojë.

“Si fëmijë kam qenë shumë i tërhequr nga muzika. Kur nis klasën e parë bëra provën për veshin muzikor, gjithmonë kërkoja të studioja piano. Mësuesja ime e parë ka Dezdemona Horieti, mësuesja e pianos. Zërin ma zbuluan në koncert, dola në skenë shumë të thjeshtë me një këngë për 1 qershorin. E kam ndjerë veten gjithmonë aty ku duhet të isha sa herë që kam kënduar.” rrëfen ai.

Me vështirësitë e jetës, ai thotë se familja dhe miqtë e ngushtë janë mbështetja e tij më e madhe.

“Skena e operas është vendi që i përket një këngëtari. Ne studiojmë për të qenë një ditë në opera. Kjo është edhe ëndrra ime. Problemi është që në Shqipëri, kur je artist duhet të punosh shumë t’i mbushësh mendjen njerëzve që ti vlen sepse ambjenti artistik është pak i ashpër. Por kur ke një specifikë si unë, që në fakt nuk e llogaris, duhet të punosh 10 fish, për t’i mbushur mendjen. Kam hasur paragjykime. Më është thënë që ‘si do lëvizësh ti në skenë’, ndërkohë që unë kam luajtur Mrikën, e shumë role të tjera kryesore, të vështira. Gjithësesi, unë e them mjafton vetëm dëshira. Është shumë e mirë kur gjen kolegë gjithëpërfshirës. Në musical kam qenë në kor, kam bërë pjesë shumë të bukura.” tregon ai.

Ndër të tjera Zelka thotë se nuk dorëzohet, shembull në rrugëtimin e tij ka të madhin Andrea Boceli, ndërsa mbështetjen e tij më të madhe, mamanë e tij, për të cilën thotë se ka sakrifikuar jetën e saj për t’iu përkushtuar pasionit të të birit për muzikën. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!