Një yll i ri po lind në Turin e Francës

schedule22:13 - 20 Korrik, 2019

schedule 22:13 - 20 Korrik, 2019

Një yll i ri duket se po lind në Turin e Francës. Çiklisti vendas, Zhylian Alafilip fitoi etapën e 13-të duke thelluar epërsinë në kryesim

Ka 34 vjet që kombi krenar po e pret një kampion. Asnjë çiklist vendas nuk ka fituar në Turin e Francës që nga viti 1985, kur për herë të fundit ia doli legjenda Bernar Hino, por duket se ditët e këqija po mbeten pas.

Një yll i ri francez po lind, ky është Zhylian Alafilip, i cili dha një tjetër provë se mund të quhet favorit për triumfin përfundimtar. Ai fitoi etapën e 13-të, kronometrin individual, duke treguar se nuk është i zoti vetëm në terren fushor apo në malore, por edhe në sfidën e vetmuar me kohën.

Një kampion i madh duhet të jetë pikërisht i tillë. Alafilip la pas me 14 sekonda britanikun Xhereint Tomas, pretendentin e madh dhe fituesin e Turit vitin e kaluar, dhe tani epërsia e francezit është plot 1’26”.

Ende jo një diferencë vendimtare, ndërsa provat e vështira do të vazhdojnë të jenë në malet e Pirenejme dhe të Alpeve. Alafilip nuk është ndonjë talent I ri që shpërthen papritur dhe që mund të bëjë epokë.

Ai është 27 vjeç, por gjithsesi nëse nis të fitojë, ka shanse të dominojë për shumë kohë. Prova e tij e parë e madhe do të jetë etapa e radhës, ajo e 14-ta, tepër e fortë në Pirenej, ku çiklistët do të kalojnë edhe në ngjitjen legjendare të Turmajesë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!