Një vit nga 5 qershori, marrëveshja që thelloi krizën

schedule15:17 - 5 Qershor, 2021

schedule 15:17 - 5 Qershor, 2021

Nga Juxhin Mustafaraj

Nënshkrimi i Damian Gjiknurit, Oerd Bylykbashit, Petrit Vasilit dhe Rudina Hajdarit për ndryshimet në Kodin Zgjedhor një vit më parë në një tekst në gjuhën angleze nën prezencën e ambasadorëve të SHBA, BE dhe atij të Britanisë së Madhe u cilësuan si fillimi i fundit të krizave zgjedhore në Shqipëri.

Pavarësisht se nuk pati konsensus për depolitizimin e komisioneve zgjedhore apo edhe votën e emigrantëve, palët i dhanë garanci njëri-tjetrit se procesin zgjedhor do ta njihnin dhe do ta pranonin. Por demokratët nisën kontestimin e marrëveshjes, pa u tharë ende boja mbi firmat e hedhura në marrëveshje.

Vendimmarrja e beftë e mazhorancës për të pranuar hapjen e pjesshme të listave dhe propozimi i tyre për të ndryshuar formulën e koalicioneve për demokratët ishte hedhje në erë e konsensusit.

Pavarësisht kundërshtive të opozitës jashtë parlamentit, në 30 korrik me votat e opozitarëve të rinj, PS votoi ndryshimet kushtetuese duke hapur pjesërisht listat dhe duke i hequr mundësinë koalicionit opozitar të garojë sipas së njëjtës skemë dhe duke i detyruar të dalin në të njëjtën listë.

Një vit më pas kur zgjedhjet përfunduan, një nga arsyet e rezultatit që demokratët morën në zgjedhjet e 25 prillit për Lulzim Bashën është pikërisht këto ndryshime të njëanshme.

Socialistët pasi morën mandatin e tretë rihapën lojën e ndryshimeve. Taulant Balla nga foltorja e parlamentit ftoi edhe njëherë demokratët të ndryshojnë kodin Zgjedhor.

Por duket se demokratët e kanë humbur besimin për tu ulur sërish në të njëjtën tryezë me socialistët. Ndaj edhe pak ditë më parë, Lulzim Basha paralajmëroi se Partia Demokratike do të dalë me një platformë të saj, e cila do sipas tij do t’i jap fund problematikave me zgjedhjet në vendin tonë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!