Sot u ekstradua nga Greqia drejt Shqipërisë Çimi Brahimi 53-vjeç, i dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Shqipëri për trafik të lëndëve narkotike.
Kur Policia e Shtetit ndërhyri në Lazarat në vitin 2014, për të asgjësuar drogën dhe arrestuar personat e rrezikshëm që ishin fshehur aty, Brahimit iu gjet një sasi e madhe kanabisi. Policia sekuestroi atë kohë, një sasi prej 1233.6 kg kanabis, por Brahimi arriti t’i shpëtonte policisë.
53-vjeçari sipas policisë në bashkëpunim me trafikantë të tjerë bënte furnizimin me lëndë narkotike në Lazarat, me qëllim trafikimi drejt Italisë.
Në kuadër të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit policia shqiptare ka marrë informacion nga Interpol Athina, se Çimi Brahimi po vuante dënimin në një burg në Greqi, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, caktuar nga Gjykata e Janinës, me vendimin e datës 14.09.2018.
Në përfundim të vuajtjes së dënimit në Greqi u bë ekstradimi drejt vendit tonë për të vuajtur dënimin për drogën në Lazarat./ Abcnews.al