Një telenovelë me fund tragjik: Akuzat për tradhti e ruajtja e nderit, si nisi konflikti mes viktimës e familjes Picari

schedule14:00 - 4 Qershor, 2021

schedule 14:00 - 4 Qershor, 2021

Një sërë akuzash dhe kundër akuzash për dhunë dhe tradhti janë finalizuar në formën më tragjike, për një çift në proces divorci në Tiranë. Kudret Salija, në proces divorci prej më shumë se një viti me ish-bashëshorten Dhurata Salija u vra mesditën e së premtes nga vjehrri i tij Mexhit Picari.

Ky i fundit tha në polici pas arrestimit se vrasjen e kreu për të mbrojtur nderin e vajzës të cilën viktima e akuzonte për tradhti bashkëshortore.

Por si nisi konflikti mes palëve?

Zanafilla e gjithë historisë janë akuzat për tradhti. Kudreti prej kohësh e akuzonte të shoqen për tradhti dhe dhunë fizike e psikologjike ndaj 3 fëmijëve të saj. Dhurata i ka mohuar akuzat. Tre fëmijët e mitur qëndronin me babain, ndërsa Dhurata është shprehur që bashkëshorti nuk e lejonte t’i takonte fëmijët me pretendimin se i kishte manipuluar fëmijët duke i gënjyer.

Edhe pse akuzat i ka mohuar, Dhurata Salija në tetor 2020 është arrestuar për dhunë fizike e psikologjike ndaj fëmijëve dhe kërcënime ndaj vjehrrës.

Më 2 tetor, 32-vjeçarja mori leje nga puna për të shkuar në spital pasi nuk ndihej në gjendje të mirë shëndetësore. Në këtë momenti nisi konflikti me burrin, që sipas saj, e akuzoi se kishte shkuar me të dashurin. Ajo ka treguar po ashtu se burri shkoi ta merrte nga spitali dhe më pas e dërgoi në shtëpinë e prindërve.

Lexo edhe: LIVE/ Po ndahej me vajzën, si e ekzekutoi vjehrri Kudret Saliajn pranë gjykatës në Tiranë

Pjesë nga intervista për emisionin “Uniko” ne nëntor 2020 kur 32-vjeçarja shprehej se akuzat ishin të pabaza ndërsa shton se edhe e kishte telefonuar të ndjerin duke i thënë: Kemi 17 vjet të martuar, si s’më dhe një sqarim për çfarë po më lë.

Dhurata Saliaj: Si mund t’i them unë bashkëshortit tim me gjithë qejf, më ço te babai im që të ndahem nga burri. Kjo është një gjë shumë e rëndë për atë, por ata e kishin menduar aq mirë këtë pjesë. Më ka marrë nga spitali, më ka tërhequr nga krahu i majtë, që e kam dhe shenjë pickimi, dhe më ka futur në makinë. I them pse shkojmë këtej? A do shkojmë te shtëpia? Jo tha, do shkojmë te babai yt të ballafaqohemi.

Për çfarë të ballafaqoheni?

Dhurata Saliaj: Pse kam ikur unë vetëm në spital. Si mund ta lërë gruan ai, 17 vite që unë kam jetuar me atë, pse kam vajtur vetëm në spital? Pastaj më ka marrë në makinë dhe u habita kur m’u fut djali në makinë mbrapa.

Keni debatuar me djalin në këtë moment?

Dhurata Saliaj: Jo fare. S’kam debatuar fare. Atë ditë babi kishte datëlindjen. Mendova se do vinim dhe për datëlindjen e babit. S’e mendova unë që ai do më linte këtu.

Pra, ju jeni ndarë dhe ka ndodhur gjithë historia në ditën e datëlindjes së babait tuaj?

Dhurata Saliaj: Që ishte një surprizë e madhe dhe për babin.

Por ai pretendon se ka debatuar me ju dhe ju ka lutur që të ktheheni në shtëpi për hatër të fëmijëve dhe ju keni thënë unë nuk kthehem kurrë më mbrapa me ju. Madje keni debatuar dhe me djalin tuaj për pjesën e të dashurve që pretendon se ju i kishit.

Dhurata Saliaj: Kjo s’është e vërtetë. Bashkëshorti im s’më ka dhënë as edhe një sqarim. Unë kam tentuar e kam marrë dhe më mbrapa në telefon dhe i kam thënë: Kemi 17 vjet të martuar, si s’më dhe një sqarim për çfarë po më lë.

Për betejën në gjyq ishin zhvilluar 4 seanca dhe sot do të ishte e pesta. Por ngjarja përfundoi në mënyrë tragjike.

10 minuta para se të niste seanca e pestë, familja Picari, specifikisht Mexhiti dhe Dhurata kanë qenë ulur në lokal, ndërsa në një karrige tjetër disa metra më tej ishin ulur Kudret Saliaj me avokatin e tij Adriatik Cama. Në një moment, pa shkëmbyer asnjë fjalë, Picari është ngritur nga tavolina dhe duke nxjerrë pistoletën, ndërsa ka qëlluar 8 herë në drejtim të tij. 5 nga plumbat kanë goditur Saliajn dhe 1 tjetër avokatin e tij, Adriatik Camën.

Pasi vrau Saliajn, Mexhit Picari është larguar në këmbë me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërsa pas tij u largua edhe Dhurata, ish-bashkëshortja e viktimës. Policia ka shkuar menjëherë për kontroll në shtëpinë e Dhuratës ku edhe ka gjetur aty autorin e vrasjes.

Në dëshminë e parë para policëve ai ka theksuar se kishte vepruar për të mbrojtur nderin e vajzës, të cilën sipas tij po e akuzonin pa asnjë provë për tradhti bashkëshortore. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!