Një talent shqiptar për Realin e Madridit

schedule15:24 - 25 Mars, 2019

schedule 15:24 - 25 Mars, 2019

Një futbollist i vogël me origjinë shqiptare ka tërhequr vëmendjen e Realit të Madridit. Olge Balliu, 13-vjeçar, ka kaluar me sukses dy prova në klubin e madh spanjoll.

Një aftësi të tillë padyshim nuk e ka as Mesi. E ka sidoqoftë një fëmijë me origjinë shqiptare, lindur në Itali, me emrin Olge Balliu. Djali i një emigrant shqiptar, që shkoi në Itali përpara viteve 2000, ka tërhequr vëmendjen e klubit më të madh të futbollit botëror, Realit të Madridit, që po interesohet për të.

Babai i tij tij, Lulzimi, tregon për mediat italiane se bashkë me të birin 13-vjeçar shkoi në kampingun e Realit, në Kurtarolo të Italisë dhe se aty trajnerët u habitën me aftësinë e Olgit. Familja shqiptare pagoi 200 euro për t’u pranuar në kamping, por duket se ky ishte një investim i suksesshëm. Balliu i vogël, që luan si futbollist krahu për ekipet e moshave të klubit të Çitadelës në Itali, mori një ftesë për në kompleksin e klubit të shquar spanjoll, bashkë me gjashtë fëmijë të tjerë.

Fillimisht, xhongleri 13-vjeçar shkoi në Madrid në Korrik të vitit të kaluar, ndërsa këtë vit pati ftesën e dytë në 4 Janar. Gjithsesi, Olge i vogël duhet të presë, pasi rregullat e UEFA-s janë të qarta. Duhet të kalojnë 3 vjet, pra ai të mbushë 16 vjeç, që të mund të fitojë një kontratë dhe të largohet nga familja.

Prindërit po mendojnë të zhvendosen për në Spanjë, që tani, veçse e dinë se nuk do të jetë e lehtë. Gjithsesi, Balliu i vogël mund të ketë të ardhme të madhe, tek Reali apo në ndonjë klub tjetër të rëndësishëm. Ai thjesht duhet të stërvitet dhe të presë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!