“Një spital vetëm për pacientë me COVID-19, në Kosovë!” Zemaj: Nga e hëna testet edhe në privat

schedule20:55 - 1 Gusht, 2020

schedule 20:55 - 1 Gusht, 2020

Rritja e numrit të rasteve të reja me COVID-19, do të detyrojë Kosovën që të ndërtojë një spital që do të merret vetëm me trajtimin e pacientëve të infektuar.

Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj ka bërë me dije ditën e sotme se për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19 do të shtohen edhe masat për parandlimin e përhapjes së virusit.

Zemaj po ashtu bëri me dije se nga dita e hënë do të fillojë licencimi i laboratoreve private për realizimin e testeve serologjike dhe atyre molekulare!

Duke parë numrin në rritje të rasteve dhe mosrespektimin e masave nga qytetarët, jemi të obliguar që t’i ashpërsojmë masat! Kur e kam marrë mandatin si ministër i Shëndetësisë, në kohën kur ka filluar lehtësimi i masave, kam qenë i vetëdijshëm se do të ketë rritje të rasteve me Covid-19. Kam qenë i vetëdijshëm edhe për presionin nga dikastere të ndryshme për hapje.

Është krejt ndryshe të menaxhohet pandemia në mbyllje totale, e krejt tjetër kur ke ekonominë në hapje. Por, kemi qenë të vendosur që ta ruajmë shëndetin publik, por paralelisht edhe atë ekonomik e mental.

Në vazhdimësi kam bashkëpunuar me ekspertët shëndetësorë dhe institucionet përkatëse dhe bazuar në rekomandimet e tyre, kam ndërmarrë masat për menaxhimin e pandemisë.

Por, pavarësisht masave që kemi marrë, në ditët e fundit kemi parë se ato masa nuk janë respektuar. Derisa Bashkësia Islame e Kosovës ka respektuar masat, për çfarë e falënderoj, në sektorin e gastronomisë dhe nga shumica e qytetarëve ato nuk u respektuan.

Mbrëmë, unë vetë isha dëshmitar në terren, por gjithashtu kam marrë mijëra mesazhe nga qytetarët e shqetësuar. Prandaj, nga sot në koordinim me Policinë, AVUK-in dhe Prokurorinë e Shtetit, konform legjislacionit, do të fillojmë me ashpërsimin e zbatimit të masave!

Krahas masave që do t’i marrim menjëherë, jemi duke punuar në lehtësimin e funksionimit të sistemit shëndetësor, me riorganizimin e ambulancave specialistike dhe me krijimin e një spitali portativ vetëm për pacientët me COVID-19, pasi jemi të vetëdijshëm se me ngarkimin e QKUK-së po rritet mundësia e infektimit me COVID-19 edhe e pacientëve që janë aty për trajtime të tjera.

Gjithashtu, nga kjo javë do të shtohet numri i inspektorëve në terren, duke rritur kështu mundësinë për zbatimin strikt të masave të caktuara.

Ndërsa nga e hëna do të fillojë licencimi i laboratoreve private për realizimin e testeve serologjike dhe atyre molekulare!”, u shpreh ai.