Një menaxher shqiptar do të ndihmojë Mauricio Sarrin që të bëhet trajneri i ri i Juventusit. Quhet Fali Ramadani, i lindur në Tetovë, një nga agjentët më të mirë të futbollit në botë.
Nuk është aq i famshëm sa ata, por nuk bie më poshtë.
Quhet Fali Ramadani, agjenti I futbollit që mund të realizojë këto ditë një nga transferimet më të mëdha të verës, dhe që rivalizon me Mino Raiolën e Zhorge Mendezin.
Shqiptari i lindur në Tetovë, pra në Maqedoninë e Veriut, është sot 56 vjeç, dhe baza e tij është Berlini, dhe prej aty përgatitet të kalojë Mauricio Sarrin tek Juventusi.
Ramadani pritet të bisedojë me drejtuesit e Çelsit, presidentin Brus Bak dhe drejtoreshën e përgjithshme, Marina Granovskaia, krahun e djathtë të pronarit Roman Abramoviç.
Largimi i Sarrit nga blutë e Londrës duket çështje e përfunduar, edhe pse trajneri deklaroi se meritonte rinovim kontratë, pasi fitoi Ligën e Europës.
Presidenti i Juventusit, Andrea Anjeli, u ndodh në Baku ditën e finales, dhe takoi presidentin e Çelsit, me shumë gjasa për të biseduar për Sarrin.
Gazetat italiane ishin të sigurta.
“Tutosport”: Triumf i Sarrit! Tani vjen radha e Juventusit!
“La Gazeta delo Sport”: Ej Juve! Sarri fluturon! Arsenali shkatërrohet 4-1. Takim mes Anjelit dhe presidentit të bluve për të lejuar largimin!
Mediat në Itali thonë se lojtarët juventinë janë lajmëruar që pikërisht Sarri do të jetë trajneri i tyre i ri.
Juventusi fitoi titullin e 8-të radhazi në Itali, por vendosi të mos vazhdonte me trajnerin e 5 vjteve të fundit, Masimiliano Alegrin.
Me ndihmën e tetovarit Ramadani duket se do ta gjejë shpejt pasardhësin, ndërsa agjenti që jeton në Gjermani ka një numër të madh lojtarësh që i menaxhon.
Mes tyre, emra të njohur nga ish-republikat jugosllave si Handanoviç, Perishiç, Ljajiç dhe besohet edhe juventini Miralem Pjaniç./ABC News Albania 24/7