Agron Shehaj ka falënderuar qytetarët që kanë votuar PD-në dhe atë vetë në zgjedhjet e 25 prillit. Shehaj, i cili ishte i gjashti në listën e PD-së rezultoi të jetë një nga më të votuarit të kësaj force pasi numëron mbi 13,000 vota.
Në një postim në Facebook ai u thotë qytetarëve që e kanë mbështetur se vota e tyre nuk ka humbur, por se do të përfaqësohet në Kuvendin e Shqipërisë.
“Dua t’ju falenderoj sinqerisht të gjithë ju që votuat Partinë Demokratike në Tiranë dhe veçanërisht në Njësinë 5 dhe 7, ku pata nderin të punoj bashkë me demokratët. Mbi 9 mijë vota më shumë se në vitin 2017, në këto dy njesi, janë një besim i madh për partinë tonë.
Si çdo demokrat do dëshiroja që sot të kishim marrë mundësinë për të venë në jetë angazhimet që morëm para gjithë shqiptarëve pēr t’u dhënë atyre një qeveri të përgjegjshme që punon për njerëzit. Por vota juaj për Partinë Demokratike nuk është e humbur, ajo do të përfaqësohet besnikërisht dhe me kurajo në Kuvendin e Shqipërisë, që mbi të gjitha u takon shqiptarëve të thjeshtë.
U jam gjithashtu mirënjohës dhe ndihem përgjegjës ndaj të gjithë juve që shprehët besim tek unë personalisht. Do ta tregoj me punë, çdo ditë, se jam në politikë për ju dhe për t’i shërbyer me nder interesit public”, shprehet Shehaj. /abcnews.al/