Sulmi me tre viktima në Francë, fjalët e fundit të 44 vjeçares: Thuaju fëmijëve të mi se i dua

schedule10:45 - 30 Tetor, 2020

schedule 10:45 - 30 Tetor, 2020

Një sulm terrorist ndodhi një ditë më parë në qytetin Nice në Francë ku si pasojë humbën jetën 3 persona dhe u plagosën disa të tjerë. Një nga viktimat e këtij sulmi fatkeq në katedralen Notre Dame ka qenë Vincent Loques, 55-vjeç, që kishte punuar në katedrale.

Mediat e huaja bëjnë me dije se 55 vjeçari ishte punëtor i katedrales që nga viti 2010, dhe ka lënë pas  dy vajza.

Loques si çdo mëngjes, dyert e katedrales i hapte në ora 8:30. Megjithatë ditën e kobshme të enjtes nuk e dinte se vetëm gjysmë ore pasi hapi dyert e katedrales, do të theret për vdekje. Ai mbeti i vdekur në vendin e ngjarjes.

“Katedralja ka qenë dhoma e tij e ditës, vazhdimisht ka qëndruar aty. Nuk ka qenë vetëm punonjës, por shumë më shumë. Sulmuesi sipas të gjitha gjasave i është vërsulur nga pas”, është shprehur për mediat një dëshmitar.

Siç raportojnë mediat lokale, Loques më herët kishte punuar në një kompani të familjes, por më vonë kishte hequr dorë pas një tragjedie familjare  duke iu përkushtuar më vonë plotësisht katedrales.

Mes viktimave në Francë ishte dhe një 44 vjeçare e cila ishte nënë e tre fëmijëve e identifikuar si Silva, e cila jetonte prej 30 vitesh në Nice.

44 vjeçarja arriti të shpëtonte nga duart e agresorit por fatkeqësisht ajo ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra. Mediat bëjnë me dije se ajo ju ka thënë dëshmitarëve që tu thonë fëmijëve të saj se ajo i do shumë.

“Thuaju fëmijëve të mi se i dua”, kanë qenë fjalët e saj të fundit.

Gjithashtu sulmuesi që ishte futur në objekt kishte prerë dhe kokën një gruaje 60-vjeçe dhe më pas i ishte vërsulur Loquesit.

Ndërkohë policia ka arrestuar autorin e këtij sulmi një 21 vjeçar tunizian dhe një 47 vjeçar i cili dyshohet se është bashkëpuntor në këtë sulm barbar. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!