20 milion euro dhe një milion euro në vit. Është kjo marrëveshja ekonomike e arritur nga ish kryeministri italian Silvio Berluskoni dhe ish e dashura e tij Franceska Paskuale, pas ndarjes në muajin mars këtë vit, dhe me të cilën ishte lidhur në vitin 2011.
Aktualisht Beluskoni është i lidhur me deputeten 30 vjeçare të Forca Italias, Marta Fashina.
Për të gjithë në fillim ishte vetëm një nga fanset e shumta të “Forca Silvio”. Ndodhej në të gjitha manifestimet, gjithnjë në radhë të parë, e kujdesshme por e vendosur për të mos bërë asnjë hap prapa. Bluza me një logo shumë të madhe në mbështetje të Berluskonit ishte lëkura e saj e dytë, deri në ditën që ish kryeministri italian e vuri re dhe çdo gjë nisi.
Nga një fanse u detyrua të ishte me orë të tëra e pranishme në fushatë si e fejuara e idhullit të saj politik. Tashmë pas pothuajse 10 vitesh lidhje – gjithnjë e konsumuar në privatësi pas lajmit në muajin mars për përfundimin e marrëdhënies, mediat italiane publikojnë dhe detajet ekonomike: Franceska Paskale ka marrë një çek prej 20 milion eurosh dhe një marrëveshje prej një milion eurosh në vit. Por lajmi është përgënjeshtruar për momentin nga stafi i ish kryeministrit.
Katër muaj më parë ishte një deklaratë e partisë së drejtuar nga Berluskoni – Forca Italia – që konfirmoi fundin e lidhjes mes Silvio Berluskonit 84 vjec në shtator dhe Franceska Paskale. Në deklaratë thuhej se mes të dyve kishte ende një marrëdhënie miqësie të thellë dhe përkujdesi, por mes tyre nuk kishte më asnjë marrëdhënie sentimentale apo çifti.
Një njoftim i thatë për të cilin kishin rënë dakord të dy, për t’i dhënë fund një marrëdhënieje të nisur në 2011-ën dhe që u konfirmua me daljen e parë në publik në derbin Inter – Milan.
Tashmë për 36 vjeçare Paskale duket se ka ardhur momenti për të ndryshuar jetë. Sipas lajmeve të publikuara nga e përjavshmja italiane Oxhi, ish velina e Telekafone, e futur në politikë, ka firmosur një marrëveshje që parashikon një dalje të shtrenjtë nga skena dhe një lloj page të përvitshme prej një milion eurosh në vit.
Disa javë pas ndarjes ajo u shpreh se marrëdhënia e saj me kryetarin nuk do të shuhej në këtë mënyrë; kjo pasi dashuria transformohet por nuk zhduket. Kohët e fundit ish partnerja e Berluskonit po shoqërohet me këngëtaren Paola Turki me të cilën e lidh një miqësi e fortë dhe objektivi i përbashkët për të mbrojtur të drejtat e homoseksualëve dhe lesbikeve. Lideri i Forca Italia aktualisht është i lidhur me Marta Fashina, 30 vjeçare, deputetet nga radhët e Forca Italia./abcnews.al