Nga një fshat i vogël në Ulqin vjen një histori e madhe njerëzore, një rrëfim i thjeshtë, por që flet më fort se çdo fjalim për bashkëjetesën dhe respektin mes njerëzve. Myslimani Dul Asllani, mësues me profesion dhe njeri me zemër të madhe, zgjodhi të kremtojë “Ditën e Larit” në një mënyrë krejt të veçantë: duke vendosur degë dafine mbi varret e fqinjëve të tij katolikë.
Në varrezat e Fraskanjelit, ku shumë varre kanë mbetur pa kujdes për dekada për shkak të emigrimit, ai u bë zëri dhe dora e munguar e familjarëve. Me një gjest simbolik, por të mbushur me ndjenjë, ai nderoi kujtimin e atyre që dikur ishin pjesë e së njëjtës bashkësi, të së njëjtës jetë.
Banorët e Amullit të Poshtëm, të larguar që në vitet ’70 drejt Shteteve të Bashkuara, lanë pas rrënjët e tyre, por edhe varret që sot flasin në heshtje për një histori të përbashkët. Përballë kësaj mungese, një degë dafine u bë më shumë se një rit – u bë një kujtesë.
“Me vjen keq sepse në këtë fshat jam rritur dhe sot nuk ka mbetur më askush,” shprehet Asllani, duke e kthyer këtë veprim në një akt të pastër njerëzor, përtej çdo dallimi fetar.


