Një muze për pendesën dhe faljen

schedule10:17 - 10 Dhjetor, 2021

schedule 10:17 - 10 Dhjetor, 2021

Nga Agim Baçi
“Kushdo që mendon se regjimet komuniste të Europës Qendrore ishin vepër ekskluzivisht e kriminelëve, nuk kupton një të vërtetë thelbësore: regjimet kriminale nuk u krijuan nga kriminelë, por nga entuziastë, të bindur se kishin zbuluar të vetmen rrugë për në parajsë.
Ata e mbrojtën me aq vendosmëri atë rrugë, sa u detyruan të vrisnin shumë njerëz. Më pas u bë e qartë se nuk ekzistonte asnjë parajsë dhe se entuziastët ishin vrasës”, shkruante shkrimtari i famshëm Milan Kundera, teksa përshkruante atë shembje të shoqërisë në diktaturë, ku gjithçka njerëzore futej në një të tatëpjetë të pamundur për t’u ngritur nga asnjë Sizif.
Por, kaq vite pas rënies së asaj diktature, ata të lindur në fund të viteve ’80 dhe ata pas vitit 1990, që fatmirësisht nuk e kanë jetuar atë tmerr, që nuk janë përballur me shkallët e errëta të asaj ligësie njerëzore, kanë merituar nga ne të paktën një muze – një muze që nis nga fjala që duhet ta thonim me zë të lartë për atë njerëzore të rrëzuar dhe rrënuar, një muze që duhet të niste nga rishkrimi i historisë, nga thënia e të vërtetave të dhimbshme për ata që u pushkatuan pa gjyq, që u internuan, që iu mor prona, që u poshtëruan dhe turpëruan vetëm e vetëm se nuk ishin pjesë e tmerrit, se nuk pranuan të ishin turma e tundjes së kokës për të aprovuar të keqen.
E megjithatë, nuk është kurrë vonë të kërkojmë ndërtimin e muzeut të dhimbjes dhe të mos ngurrojmë të përfshijmë jo vetëm atë dhimbje që do të drithëronte edhe Danten teksa shkruante “Rrathët e Ferrit”, por edhe atë dhimbje për secilin nga ne, të paktën nga ne që ishim të rritur në atë kohë, që nuk këmbëngulëm që ajo e shkuar të shkruhej me të gjitha gërmat e errësirës, me të gjitha penelatat e tmerrit që prindërit apo gjyshërit tanë i bartën në kurrizet e përditshmërisë së tyre.
Ky ngurrim i shoqërisë sonë ndaj zbardhjes së të shkuarës, shkaktoi atë që nuk ndodhi në ansjë vend tjetër që kaloi rregjime gjakatare si shoqëria shqiptare, ne përfunduam një shoqëri pa të penduar për krimet dhe terrorin.
Duke mos pasur të penduar, u mohuam fuqinë dhe mirësinë e faljes atyre që, edhe kur panë persekutorët e tyre përballë, u treguan më fisnikë se sa ata, duke mos notuar në urrejtje, e aq më pak në hakmarrje.
Shumë nga ata që mbijetuan në atë tmerr, zgjodhën të hakmerreshin duke jetuar, duke ndërtuar jetën, edhe pse në muret e përditshmërisë së tyre mungonte guximi ynë që t’ia zbardhnim si duhet të shkuarën dhe të dërgonim në dyert e pendesës ata që guxuan të ishin ideatorë apo gardianë të së keqes.
Ky ishte mëkati ynë i dyfishtë, sepse mbetëm pa njerëz që të pranonin fajin e tyre. Kjo pafuqi e jona, ky dështim, bëri që një pjesë prej atyre që ishin kalorës të së keqes, të riktheheshin e të jepnin leksion për demokracinë, leksion për ta ardhmen.
Poshtë xhaketave të fjalimeve të tyre dallohej ajo veshje e brendshme e ngjyrës së të shkuarës, që i mbartte fort nëpër trup, duke i rrethuar lëkurën, rrahjen e zemrës, e duke lënë nostalgjinë e së shkuarës së diktaturës të vallëzojë pa frikë përballë nesh.
Duhet ta themi hapur: Moszbardhja e së djeshmes kriminale në diktaturë nuk është thjesht çështje historie. Ajo e shkuar, fatkeqësisht, ka vijuar të jetë dominuese në mjaft nga institucionet e arsimore-shkencore, në institucionet ligjvënëse, në institucionet ligjzbatuese, duke lejuar që të mbetet e fuqishme mes nesh ajo kulturë dhe ajo ideologji e asaj kohe, ku “njeriu i ri” mori gjithçka në dorë duke persekutuar, burgosur, vrarë e injoruar atë që dinte, atë që besonte në Zot, atë që kish njohur pronën dhe vlerat njerëzore.
Media dhe studiuesit e rinj duhet medoemos të kontribuojnë në leximin e së shkuarës. Jo thjesht për të ndëshkuar ndokënd me burg, siç bënë ata dikur.
Por për të kuptuar se si një e keqe ideologjike mund të shndërrojë njeriun në adhurues të krimit dhe të zhdukjes së njerëzores, edhe pse për jetën në diktaturë janë prej kohësh janë bërë publike qindra apo mijëra fakte persekutimi, dhunimi e zhdukjeje të atyre që guxuan të mos e pranojnë humbjen e qenies njerëzore. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!