Një muze në Kopenhagen shpjegon sekretin se pse danezët janë populli më i lumtur në botë

schedule09:11 - 23 Korrik, 2020

schedule 09:11 - 23 Korrik, 2020

Mes qyteteve europiane më të vizituara nga turistët e të gjithë botës, kryeqyteti danez Kopenhagen ofron tashmë një detaj tërheqës më shumë. Është muzeu i lumturisë, një ekspozitë e vogël e përhershme në qendrën historike, që ilustron dhe shpjegon se si individët dhe një qytet mund të arrijnë lumturinë dhe pse Danimarka, Finlanda dhe vendet e tjera nordike klasifikohen rregullisht çdo vit si më të lumturit në botë nga raporti për lumturinë në botë i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Krijues dhe drejtues i muzeut është Meik Viking, një studiues i ri që njihet si eksperti më i lartë i lumturisë në mbretërinë e vogël. Në gjuhën danbeze fjala lumturi është LYYKE. Meik Viking i ka kushtuar temës një libër me titull pak ironik: Rruga daneze drejt lumturisë.

Duket se ofron alternativa për utopitë e së kaluarës si të ashtuquajturat rrugët kombëtare drejt socializmit. Eksperti i ri është i palodhshëm: drejton dhe Institutin danez të kërkimeve mbi lumturinë. Dhe punon vazhdimisht si këshilltar për bashkitë, provincat, institucione të ndryshme dhe sipërmarrje duke i ndihmuar që të bëjnë gjithçka për të bërë më të lumtur dhe të kënaqur nga jeta qytetarët, anëtarët apo nëpunësit e tyre.

Si mund të jesh populli më i lumtur në botë me një mot të ashpër: 170 ditë shi dhe një dimër i errët, si dhe me stresin e atyre që punojnë për ekonomitë eksportuese post moderne?

Sipas Meik Viking, modeli danez dhe ai nordik në përgjithësi kanë recetat e tyre sekrete,t ë cilat funksionojnë prej shumë kohësh. Pjesa më e madhe e tyre lidhen me kulturën e rrënjosur socialdemokrate të vendeve nordike, vlerat e rëndësishme të së cilës mbështeten dhe nga konservatorët.

Është dhe principi i HYGGE, që do të thotë shumë gjëra së bashku. Mes të cilave të jesh solidar me tjetrin dhe të vlerësosh atë që merr nga jeta, duke u pranuar dhe duke mos e lënë veten të shtypesh nga dëshira dhe ambicia për të pasur më shumë.

Por në strukturë, shprehet Meik Viking për Di Velt, e dhëna e përbashkët e pesë vendeve nordike – Islanda, Norvegjia, Danimarka, Suedia e Finlanda – e që duket të jetë kolona mbajtëse e lumturisë së tyre është një e dhënë e përbashkët e sistemeve të tyre. Pra siguria se pavarësisht kush qeveris vendin, shpenzimet publike për shëndetësinë dhe arsimin janë të garantuara.

Pra një nivel i lartë i asistencës shëndetësore dhe sistemit shkollor e universitar. Ndër të tjera vendet nordike janë më të prirura se vendet e tjera për të qenë shoqëri përfshirëse, jo të ndara, edhe pse sidomos në Suedi, diferencat sociale janë në rritje. Por gjithsesi mbeten më të lumturit në botë, si tregon dhe muzeu. Vende të admiruara nga pjesa tjetër e botës. Në raportin e Kombeve të Bashkuara, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe renditen shumë keq në listën e lumturisë. Mbretëria e bashkuar është në vendin e 13 ndërsa SHBA në të 18-in. Nga 20 vendet e para mungojnë Italia dhe Franca./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!