Gjilani nuk është shpallur kurrë kampion i Kosovës dhe drejtuesit nuk po kursehen në merkato për të arritur objektivin e shumëdëshiruar. Shumë lojtarë cilësorë i janë bashkuar ekipit të Gentian Mezanit. Emri i fundit që firmos me “Skifterat” është Gramoz Kurtaj.
29-vjeçari i lindur në Prishtinë, aktivizohet në rolin e mesfushorit ofensiv dhe krahun e majtë të këtij reparti. Kurtaj ka një eksperiencë të madhe, teksa ka provuar të luajë në Gjermani, Çeki, Skoci dhe Vietnam.
“Sport Club “Gjilani”, njofton se ka arritur marrëveshje me futbollistin e lindur në Prishtinë, Gramoz Kurtaj. I lindur më 30 Prill 1991, Gramoz Kurtaj, në skuadrën e Gjilanit vjen pas eksperiencave në Vietnam, ku ishte paraqitur për dy skuadrat nga elita e futbollit vietnamez, fillimisht për skuadrën SHB Da Nang e pastaj edhe për skuadrën, Thanh Hoa FC.
Mesfushori 29 vjeçar i lindur në Prishtinë, karrierën e tij e nisi me skuadrën e Hertha Berlin II, për të vijuar edhe në disa skuadra tjera gjermane si ajo e Carl Zeiss Jena, nga ku karrierën e tij e vazhdoi edhe në ligën Çeke, më konkretisht në skuadrën e Banik Most.
Kurtaj, karrierë kishte bërë edhe në Premiership të Skocisë, ku për dy vite ishte paraqitur për skuadrën e Hamilton Academical, ku nga 50 ndeshje të zhvilluara, Kurtaj, nga elita e futbollit skocez u largua me 3 gola të shënuar dhe duke dhuruar 6 asistime për bashkëlojtarët e tij, gjatë kohës sa kishte milituar në skuadrën Hamilton Academical në Skoci.
Gramoz Kurtaj është i gjatë 1.83 cm dhe luan me të dyja këmbët, pozitën ideale në fushë e ka atë të mesfushorit ofensiv, por futbollisti më i ri në skuadrën e Gjilanit, gjithashtu mund të luajë edhe si mesfushor qendre apo i krahut të majtë të mesfushës.
Afrimi i Kurtaj në skuadrën e Gjilanit, do të jetë ndihmesë për formacionin e drejtuar nga Gentian Mezani, kësisoj duke e kompletuar mesfushën e skuadrës kuq e bardh të Gjilanit“, lexohet në komunikatën e “Skifterave”. /abcnews.al