Duhej ky “gjel” që Madridi të fitonte në Athinë pas 54 vitesh! Një pafundësi, sidomos për skuadrën më të madhe të Europës, por kjo është e vërteta.
Kryevepra me autor Kilian Mbapenë bëri që Reali të triumfonte në kryeqytetin e Greqisë, në tokën e Sokratit, Platonit dhe Aristotelit, për herë të parë në më shumë se gjysmë shekulli, dhe pas 10 ndeshjesh.
Kapiteni i Francës dhe ylli i madh “merenges” ishte shkëlqimi i mbrëmjes në Champions, duke shënuar të 4 golat në suksesin 4-3 ndaj Olimpiakosit.
Grekët kaluan të parët në epërsi, por sulmuesi u përgjigj duke dërguar tri herë topin në rrjetë në vetëm 6’42”.
Njëzetenëntë sekonda e ndanë nga rekordi në Champions që mbahet nga Mohamed Salah. Olimpiakos provoi deri në 2-3, pastaj Mbape goditi sërish, ndonëse El Kabi i dha shpresë vendasve në 81’.
Ky sezon I “gjelit” francez është i shkëlqyer. Nëntë gola në 5 ndeshje në Champions. Trembëdhjetë rrjeta në 13 ndeshje në La Ligën e Spanjës.
Pesë realizime në 4 sfida për kombëtaren e Francës. Në total, janë 27 gola në vetëm 22 ndeshje, që nga shtatori, e ndonëse nuk mund të krahasohet me rekordin e Lionel Mesit me 91 rrjeta në një vit kalendarik, sërish është shumë.
Me paraqitjen madhështore në kryeqytetin grek, ylli i Francës ka tani më shumë tregolësha në Ligën e Kampionëve se Karim Benzema, 5 ndaj 4, si dhe ka më shumë gola sesa Kristiano Ronaldo pas 5 ndeshjeve të para të një sezoni, 9 ndaj 8!
E përditshmja “Marka” shkruan katër herë emrin e tij, Mbape, në kopertinë, shoqëruar me foton e madhe sa gjithë faqja. Gazeta tjetër e kryeqytetit, “AS” e ndan meritën e fitores mes Mbapesë dhe brazilianite Vinisius duke titulluar: Dy rrufe!
Kapiteni I Francës mund të thuhet shprehimisht se e shpëtoi Realin në stadiumin e Olimpiakosit, pasi grekët bënë më shumë, me 19 gjuajtje ndaj 13, dhe me goditjet në portë 8-5!
Tashmë, madrilenët janë në pesëshen e parë në Champions, vetëm tri pikë larg Arsenalit kryesues.

