Një javë pas sherrit të mësueseve, Kushi shkon te “Çajupi”: Figura e mësuesit ka nevojë të lartësohet

schedule10:09 - 16 Tetor, 2021

schedule 10:09 - 16 Tetor, 2021

Një javë pas sherrit mes 2 mësueseve të shkollës “Andon Zako Çajupi” asaj të Letërsisë Elida Qenami 46 vjeç dhe të Historisë Domenika Toptani 53 vjeç, ministrja e Arsimit Evis Kushi ka shkuar për vizitë në ambientet e gjimnazit.

“Të gjitha profesionet janë të nderuara, por mësuesi mbetet në çdo kohë e në çdo vend figura më e dashur dhe më e respektuar për të gjithë. Vlerat që ai mbart janë të jashtëzakonshme dhe të pazëvendësueshme në mirëedukimin e fëmijëve tanë. Nisur nga ngjarja e rëndë ku të përfshira ishin dy mësuese të gjimnazit “Andon Zako Çajupi” në Tiranë, dje zhvillova një vizitë pranë kësaj shkolle, e cila ndër vite ka spikatur përherë me talente e rezultate pozitive në çdo fushë. Pasi i urova fillimisht shumë suksese e mbarësi nxënësve në këtë fillim viti shkollor, bashkëbiseduam gjerësisht me mësuesit për çështje shkollore që kanë nevojë për adresim, për lartësimin më tej të figurës së mësuesit, si dhe forcimin e vazhdueshëm të Komisioneve të Etikës dhe Disiplinës, për të garantuar vetëm mbarëvajtje në proceset e shkollës”– shkruan Kushi.

Lexo edhe: “Pse më bëni shenja pas krahëve”, ABC zbardh sherrin mes mësueseve të “Çajupit”: Ta vë pistoletën në ballë

Më herët ABC ka zbardhur të gjithë dinamikës e sherrit, ku u përfshinë dhe të afërm të 2 mësueseve. Konflikti për bankat e shkollës ka qenë shkaku që ka çuar në këtë sherr banal pranë lokalit të gjimnazit, ku ishin ulur 2 mësueset për t’u sqaruar.

“Pse më bëni shenja pas krahëve të mi”, kështu ka nisur debati mes mësueseve. Në dëshminë e siguruar nga ABC mësuesja Elida Qenami ka deklaruar se gjithçka ka nisur një javë para sherrit masiv,  në ambientet e shkollës kur e ka ndaluar Domenika, e cila i ka kërkuar llogari se “përse e shajnë pas krahëve”. Injorimi nga ana e mësueses së Letërsisë ka bërë që ajo e Historisë të acarohet dhe t’i kthehet me ofendime, madje duke hyrë në detaje personale si divorci. Gjithçka ka vijuar me përfshirjen e të afërmive të cilët janë përplasur fizikisht madje kanë përdorur edhe armë.