Një i vdekur në sulmin me armë ndaj studentëve gjermanë

schedule05:24 - 25 Janar, 2022

schedule 05:24 - 25 Janar, 2022

Një person i armatosur ka vrarë një person dhe ka plagosur rëndë tre të tjerë brenda një salle leksionesh në Universitetin e Heidelberg në jugperëndim të Gjermanisë, përpara se të qëllonte veten për vdekje. Ai ishte një student gjerman 18 vjeçar.

Policia gjermane tha se vrasësi, i cili ishte i armatosur me dy armë kishte përdorur një “armë të gjatë” dhe kishte qëlluar “egër” rreth amfiteatrit. Gjakderdhja shkaktoi një operacion të madh në kampusin e universitetit në zonën e Neuenheimer Feld raporton “BBC”. Policia u kërkoi njerëzve që të shmangnin zonën në mënyrë që punonjësit e shpëtimit dhe shërbimet e urgjencës të mund të lëviznin lirshëm.

Mediat gjermane raportuan se personi i armatosur duket se nuk kishte asnjë motiv fetar apo politik. Policia ka kontrolluar banesën e tij në qytetin Mannheim dhe ka gjetur një mesazh në WhatsApp që ai kishte dërguar pak më pare në të cilin fliste për ndëshkimin e njerëzve. Heidelberg është një qytet universitar me rreth 160,000 banorë.

Vendi ka disa nga ligjet më të rrepta të armëve në Evropë dhe të shtënat në shkolla janë të rralla. Kushdo nën 25 vjeç duhet të kalojë një vlerësim psikologjik përpara se të marrë një patentë për armë. Policia fillimisht tha se katër viktima ishin plagosur, me një përditësim të mëvonshëm që konfirmoi se një kishte vdekur në spital. / abcnews.al