“Dardanët” e Ballkanit të Ilir Dajës arritën një fitore madhështore në raundin e dytë të fazës së grupeve të Conference League, teksa në mitikun “Fadil Vokrri” mposhtën “gjigandët” kroatë me rezultatin e pastër, 2 me 0, duke marrë kështu 3 pikët e para në grupin C.
Mirëpo, disfata në Prishtinë është përjetuar keq në kryeqytetin kroat, me mediat që kanë nisur të aludojnë për shkarkimin e trajnerit të Dinamo Zagreb, Sergej Jakirovic, me teknikun 46-vjeçar që mori”fajin mbi supe” menjëherë pas ndeshjes, duke kërkuar ndjesë, teksa pranoi se kjo është humbja më e rëndë që ka pësuar në karrierë.
“Një humbje e merituar. U kërkoj falje të gjithë tifozëve dhe gjithë Kroacisë. Marr përgjegjësinë për atë paraqitje të dobët, ndonëse u përpoqëm të përfitojmë në maksimum për të fituar. Ata ishin shumë më të mirë se ne dhe na bënë atë që unë doja t’u bënim në fushë.
Kjo është humbja më e rëndë për mua në karrierë. Duhet ta pranoj këtë dhe të shohim se çfarë do të sjellë e nesërmja”,- u shpreh Jakirovic. /i.m /abcnews.al