Një grua amerikane është arrestuar dhe akuzuar për organizimin dhe drejtimin e një batalioni të përbërë vetëm prej femrash të Shtetit Islamik. Allison Fluke-Ekren, një nënë që dikur jetonte në Kansas, dyshohet se ka trajnuar gra dhe fëmijë për të përdorur pushkët sulmues AK-47 dhe jelekët vetëvrasës në Siri. Ajo gjithashtu dyshohet se ka rekrutuar operativë për një sulm të mundshëm në të ardhmen në një kampus kolegji në SHBA.
Zonja Fluke-Ekren mund të përballet me 20 vjet burg nëse shpallet fajtore. Detajet mbi akuzën janë dhënë në një deklaratë të FBI-së në vitin 2019, e cila u publikua të shtunën pasi ajo u kthye në SHBA për t’u përballur me akuzat. Në deklaratë pretendohet se në vitin 2016 një batalion i ISIS-it i përbërë nga femra i njohur si Khatiba Nusaybah u krijua në Raqqa, Siri.
Në atë kohë, qyteti ishte kryeqyteti de fakto i grupit të Shtetit Islamik raporton ”BBC”. Thuhej se batalioni përbëhej vetëm nga pjesëtare femra të ISIS-it që ishin martuar me luftëtarë meshkuj. Zonja Fluke-Ekren dyshohet se u bë drejtuesja dhe organizatorja e grupit menjëherë pasi u bashkua me të.
Thuhet se roli i saj kryesor ishte të mësonte gratë se si të mbroheshin kundër armiqve të Shtetit Islamik. Thuhet se ajo i’a ka dalë të trajnojë disa gra të Shtetit Islamik për përdorimin e pushkëve AK-47, granatave dhe rripave vetëvrasës. Ajo akuzohet gjithashtu për mësimin e fëmijëve për përdorimin e armëve sulmuese dhe në deklaratën e FBI-së një dëshmitar citohet të ketë thënë se një nga djemtë e zonjës Fluke-Ekren është parë duke mbajtur një automatik.
Në atë kohë ai ishte 5 ose 6 vjeç. Përveç rolit të saj të dyshuar në Siri, zonja Fluke-Ekren akuzohet gjithashtu për planifikim dhe rekrutim të operativëve për një sulm në një kampus kolegji në SHBA. Ajo gjithashtu dyshohet se i tha një dëshmitari për dëshirën e saj për të kryer një sulm në një qendër tregtare duke përdorur eksplozivë dhe thuhet se tha se do të ishte humbje burimesh nëse nuk do të vriste shumë njerëz. / abcnews.al