Spal u shkatërrua nga Lazio në “Olimpico” në fundjavë dhe Etrit Berishës iu desh të nxirrte pesë herë topin nga rrjeta. Ekipi i portierit shqiptar renditet në vend të fundit në Serie A dhe rrezikon seriozisht rrëzimin një kategori më poshtë.
Drejtuesit e klubit italian po kërkojnë një sulmues, edhe pse merkato është mbyllur. Gjithsesi, rregullorja e lejon firmën me lojtarët që janë pa kontratë dhe Spal po tenton një emër të njohur të futbollit italian.
Mediet italiane raportojnë për një interesim ndaj Giuseppe Rossit, i cili qëndron pushim prej vitit 2018. 33-vjeçari është një nga pengjet më të mëdhenj të futbollit italian. Talentin e kishte me shumicë, por dëmtimet e shumta nuk e lanë kurrë të qetë.
Ish-sulmuesi i kombëtares italiane, i cili është stërvitur me Manchester United dhe Villareal gjatë vitit të kaluar, shpreson të nisë një aventurë të re dhe Spal është një opsion shumë i mirë për të. Eksperienca e tij mund të ndihmojë ekipin në luftën për mbijetesë, ndërsa emri tjetër që përflitet është ai i Alessandro Matrit. /abcnews.al


