Në Romë u takuan krerët e kishës katolike për të folur për dhunën seksuale ndaj minorenëve, brenda kishës katolike. Kjo ishte e nevojshme, por një fillim i ri do të kërkojë kohë, mendon Christoph Strack.
Në fund të takimit në Romë, Papa Françesku ka mbajtur një fjalim të rëndësishëm për tmerrin e keqpërdorimit seksual të fëmijëve, për anët e errëta dhe kriminele të internetit aq të dashur, për turizmin seksual. Por ka diçka që më shqetëson në rrënjë tek ky fjalim: Vendi më i mirë për këtë do të kishte qenë një konferencë e OKB-së për mbrojtjen e fëmijëve apo një skenë e përafërt. Në Romë, në zemër të kishës, në të cilën ende ekziston keqpërdorimi seksual i fëmijëve, siç u shpreh vetë Papa Françesku, ky fjalim mu duk më se ambivalent.
Vërtet Papa Françesku e quan keqpërdorimin seksual brenda kishës „edhe më të rëndë e skandaloz” i krahason priftërinjtë, autorë të veprave seksuale me „ujqërit e lëshuar” dhe „të pashpirt”, i quan ata „vegël të satanit”. Për të kapërcyer këtë krizë globale të kishës ai beson tek „grigja e zotit”, tek të gjithë besimtarët. „Kjo grigjë e zotit do të na çlirojë nga ai klerikalizëm që krijon truallin ushqyes për këto mizori.” Po, por pas kësaj?
Viktimat mbesin jashtë
Një duzinë viktimash nga Europa, Azia, Afrika, Amerika Veriore e Jugore, që si fëmijë u bënë pre e dhunës seksuale nga klerikët, i shoqëruan këto ditë të kishës nga përjashta. Brenda ata nuk lejoheshin. Vetëm delegacioni polak me sa duket me lidhje të forta, mundi të mbërrinte deri tek Papa, dhe madje qarkullon edhe një foto prekëse, ku Papa i puth dorën një viktime. Të tjerë nuk hynë dot në Vatikan. Por këto ditë ata morën konfirmimin, se dosje të tëra për vepra të caktuara janë shkatërruar dhe veprat janë fshehur.
Kjo është diçka që viktimat e thonë prej vitesh. Por për një kohë dukej se ishte e bezdisshme. Po, kush i ka fshehur gjëma të tilla duhet përmendur me emër. Dhe dosjet nuk shkatërrohen vetiu. Të gjithë këta viktima duhej të dëgjonin fjalimin e Papës në monitorë. Dhe kaluan minuta, derisa ai foli konkretisht për keqpërdorimin seksual brenda kishës. Kurse çështja e dëmshpërblimit as nuk u shtrua. Për disa ky mund të jetë një aspekt anësor, për të tjerë një pranim, kërkim faljeje. Nuk është edhe aq rastësisht që po falimentojnë ipeshkvi në SHBA.
Fund i një gënjeshtre të zgjatur
Katër ditët e konferencës në Romë shënojnë në shumë pika fundin. Fundin e gënjeshtrave të besuara gjatë nga kisha. Askush nuk mund të thotë më, se dhuna seksuale në kishë është vetëm pjesë në disa rajone të botës, e vendi im nuk përfshihet. Edhe fshehja e krimeve është një femonen i praktikuar kudo nga kisha, krim pas krimi. Askush nuk mund të dyshojë më për lidhjen mes keqpërdorimit të pushtetit dhe dhunës seksuale – dhe kisha u bë shpesh një vend i keqpërdorimit të këtij pushteti.
Por a do të kthehen këto ditë në ditët e një fillimi të ri? Të shpresojmë. Asgjë nuk kishte efekt ligjor në Romë këto ditë. Gjatë këshillimeve, Papa paraqiti një program 21 pikësh. Ai mund të shihet si pikënisje për t’u zbatuar më pas nga konferencat e ipeshkëve dhe Roma. Çdo ipeshkv që ishte në Romë e ka detyrë një gjë të tillë.
Frika nga e reja?
Disa ditë para konferencës në Romë, Kardinali Kölnit Rainer Maria Woelki i shuajti shpresa e pritshmëritë e mëdha për një reformim të gjerë. „Nuk është detyra jonë të krijojmë tani një kishë të re.” Në këto fjalë tingëllon frika.
Kjo fjali më vinte ndërmend në kohën që dëgjoja tre fjalime të jashtëzakonshme, tre fjalime të mbajtura nga tre gra në konferencën në Vatikan. Fjalimet më të mira të këtyre ditëve. Me siguri asnjë prej tyre nuk dëshiron „të shpikë një kishë të re.” Por fjalimi i drejtues së urdhrit, Veronica Openibo nga Nigeria, nëse do të ishte mbajtur në meshën e së dielës në kishat e Gjermanisë dhe Europës do të ishte pritur me duartrokitje spontane. Openibo nuk do të donte një kishë të re, nuk kërkoi heqjen e celibatit. Ajo vetëm pyeti: „Pse ka heshtur kaq gjatë kisha? Dhe preku temën e keqpërdorimit të pushtetit, parasë, klerikalizmit, diskriminimit femëror, rolit të grave. „Shumë shpesh ne duam të heshtim, deri sa të kalojë stuhia. Por kjo stuhi nuk do të kalojë.”
Këto ditë në Romë shënuan një fund dhe një fillim. Fundin e disa gënjeshtrave të besuara gjatë nga kisha. Dhe kjo ka rëndësinë e vet në një sistem të ngurtësuar kaq fort. Fillimi i ri duket i brishtë. Por ai do të vijë, e siç e treguan jo rastësisht fjalimet e tre grave të kishës, shumë më shpejt nga impulset jashtë sistemit klerikal./DW