Një “francez”, gjiganti Broja dhe talenti që menaxhon Raiola: Tre risitë e Shqipërisë

schedule15:54 - 29 Gusht, 2020

schedule 15:54 - 29 Gusht, 2020

Ndryshimi është pjesë e jetës dhe emra të rinj bashkohen listës së kombëtares shqiptare. Tre debutues për ndeshjet ndaj Bjellorusisë e Lituanisë në Ligën e Kombeve dhe bëhet fjalë për sulmuesin Armando Broja, mbrojtësin Ramen Çepele dhe mesfushorin Qazim Laçi.

I pari është lojtar i Chelsea, klub me të cilin ka nënshkruar një kontratë profesioniste. Në moshën 18-vjeçare ai kaloi me sukses provën në ekipet e akademisë së klubit anglez, duke fituar besimin e trajnerit Lampard, madje bëri edhe debutimin në Premier Ligë, në ndeshjen e sezonit të kaluar ndaj Evertonit në “Stamford Bridge”.

 

Gjithsesi, për shkak të konkurrencës së ashpër tek Blutë e Londrës, dhe moshës së tij të re, Broja u huazua tek Vitesse e Arnhemit në elitën e futbollit të Holandës. Sulmuesi shqiptar po e tregon veten edhe me klubin e ri, teksa ka shënuar golat e parë në miqësore.

Ramen Çepele, ndërkaq, është 17 vjeç dhe prej shumë vitesh vesh fanellën e Interit. Ai ka dalë kampion i Italisë me ekipin zikaltër U15 dhe U17, duke mundur përkatësisht në finale Juventusin e Romën, ndërsa është vlerësuar si një talent edhe për ekipet kombëtare të moshave të Italisë.

 

Çepele, mbrojtës i Interit

Çepele ishte pjesë e Italisë U16 e U17, ndërsa më pas zgjodhi të përfaqësonte Shqipërinë. Tashmë hodhi hapin e madh duke u grumbulluar në kombëtaren e të rriturve të trajnerit Reja, dhe shpreson të debutojë sa më shpejt.

Mbrojtësi synon të ecë në gjurmët e një tjetër talenti që vjen nga Italia, mbrojtësit të Veronës, Marash Kumbulla. Për të mos u lënë mënjanë është edhe fakti që Çepele menaxhohet nga i famshmi Mino Raiola.

 

Risia tjetër në listën e trajneri Edy Reja është mesfushori Qazim Laçi. Dibrani, tashmë 24 vjeç, është produkt i grekëve të Olympiacos. Në huazim është aktivizuar edhe te Levadiakos, ndërkohë që prej vitit 2018 luan në Francë me skuadrën e Ajaccio.

Mesfushori është titullar i padiskutueshëm i francezëve. Vjet luajti 27 ndeshje si titullar dhe shënoi tre gola. Trajneri Reja e kishte piketuar atë edhe për miqësoret e marsit, ndaj edhe i kishte dërguar një ftesë. Ato u anuluan, por italiani nuk e ka harruar dhe ka menduar t’ia japë një mundësi në kombëtare edhe Laçit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!