Një finale përpara finaleve evropiane, Fiorentina dhe Inter “luftë” për trofeun e Kupës së Italisë

schedule10:12 - 24 Maj, 2023

schedule 10:12 - 24 Maj, 2023

Nga Hergi Llupi

Interi, kampioni në fuqi i Kupës së Italisë do të takohet sot në mbrëmje me gjashtë herë fituesin e këtij kompeticioni, Fiorentinën, në finalen e Kupës së Italisë, në Olimpico të Romës.

Në prag të finales së madhe të Champions League më datë 10 qershor ndaj Manchester City, Interi fitoi kupën e tyre të tetë kombëtare vitin e kaluar dhe fitoi Superkupën e Italisë këtë sezon dhe tashmë do të synojë të nëntën ndaj Fiorentinës. Nga ana tjetër, “Viola” po pëgatitet edhe për një finale evropiane dhe duan t’i japin fund një thatësire 22-vjeçare të trofeut.

Përveç eliminimit të rivalëve të tyre të qytetit në gjysmëfinalet e Champions League, Interi pati kënaqësi të madhe në eliminimin e armiqve të vjetër Juventus nga Kupa e Italisë.

Nuk ka dyshim se zikaltërit janë specialistë të kësaj kupe nën drejtimin e Simone Inzaghit. Ndërsa në kohët e fundit ata pësuan humbjen e tyre të 12-të të një sezoni të paqëndrueshëm të Serie A, humbja e së dielës me shifrat 3-1 ndaj kampionëve të rinj të Napolit, Interi është ende duke u mbyllur në top katërshe, falë një serie të mëparshme fitoresh prej tetë ndeshjesh në të gjitha garat.

Kjo përfaqëson një kthesë mjaft të mirë për Inzaghin, i cili ishte me të vërtetë në fije të perit për t’u shkarkuar, por një forcë dhe besim nga skuadra bëri që Interi të rikthehej në top katërshe, madje edhe të prekte finalen e Champions League pas 13 vitesh.

Interi në fakt e ka të gjithë përqëndrimin e tij te finalja e madhe e Stambollit kundër gjigantëve anglezë, ku do të jetë një natë magjike dhe do të synojnë të bëjnë një tjetër mrekulli. Gjithsesi, sot zikaltërit duhet të luajnë finalen e tyre dhe sigurisht nuk do të jetë aq e lehtë përballë një kundërshtari si Fiorentina. Përballjet mes tyre gjithnjë kanë qenë emocionuese dhe me gola.

Interi vjen nga një formë e mirë në 5 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet, ku ka arritur të grumbullojë katër fitore radhazi dhe një humbje, ndërsa Fiorentina, 2 fitore, 2 humbje dhe 1 barazim.

Interi ka treguar këtë sezon se është në gjendje të bëjë të pamundurën të mundur. Në fillim, pasi u hodh shorti i Champions League, zikaltërit ishin të fundit nga shanset e ekipeve për të qenë në finalen e madhe të Stambollit, me vetëm 1%, ndërsa sot, ata ndodhen në të.

Gjithsesi, përveç një rotacioni në portë, ku pritet të startojë Handanovic dhe jo Onana, duket se Inzaghi e dëshiron këtë kupë dhe pritet të aktivizojë të gjithë titullarët.

Përpara Handanovic, pritet të reshtohet mbrojtja Bastoni, Acerbi dhe Darmian. Mesfusha me pesë, me Dimarco dhe Dumfries në anët e saj dhe Calhanoglu, Brozovic dhe Barella në qendër. Sulmi me Lautaron dhe Dzekon.

Nga ana tjetër, Italiano pritet të aktivizojë nga minuta e parë Terraçiano në portë, ndërsa Dodo, Milenkovic, Ranieri dhe Biraghi në mbrojtje. Mesfusha pritet me Amrabat, Bonaventura dhe Castrovilli. Sulmi mendohet të jetë treshja potente dhe e shpejtë, me Ikone dhe Gonzales në krahët e saj, ndërsa Cabral në krye për të kërcënuar qendrën e Interit.

Të dyja skuadrat kanë ngjashmëri për sa i përket ndërtimin të aksioneve, pasi të dyja sulmojnë nga krahët dhe të dyja ndryshojnë taktika gjatë lojës me mbrojtësit që avancojnë përpara. Kjo pritet të jetë një finale e bukur, e cila do të startojë në orën 21:00, në stadiumin Olimpico të Romës./h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!