Një familje mjekësh e familjes Çelaj. Dr.Sulejman Çelaj, kardiolog, drejtor i Departamentit të Kardiologjisë në spitalin e Bronx i ftuar në “ABC e Mëngjesit” në ABC News foli për pasionin e tij për mjekësinë.
I lindur në Gjakovë dhe i vendosur në Amerikë, tregoi për sakrificat dhe arritjet në këtë fushë.
“Unë kam lindur në Gjakovë. Babën e kam nga Gucia, një fshat i quajtur Vuthaj. Ka shkuar në Kosovë si fëmijë 13 vjeçar që të vazhdonte studimet në shqip, ndërsa xhaxhai që të mësonte shqip erdhi në Shqipëri dhe këtu vdiq në moshën 80-vjeçare, familjen e ka këtu. Nënën e kam pasur nga Gjakova. Jam nga malësorët e fisit Kelmend. Shkoj atje, kam rindërtuar shtëpinë e gjyshit atje. Kemi lidhje gjithandej. Në Amerikë kam shkuar në ’96, isha 28 vjeç. Mjekësinë e kam mbaruar në Rumani. Në spitalin ku unë punoj kam gjetur Shqipërinë. Kemi shqiptarë në çdo departament”, tregoi ai.
Çela është vlerësuar me titullin “Kalorësi i urdhrit të Skënderbeut”, nderi në Shqipëri që ju dha doktorit Çelaj.
“Nuk është një mirënjohje personale, por është për prindërit, për familjen e gjerë, për Gjakovën. Është një mirënjohje për të gjithë dhe unë jam shumë falënderues”, u shpreh ai.
/abcnews.al/