Një e mbijetuar nga kanceri i gjirit tregon historinë e saj

schedule22:12 - 25 Tetor, 2021

schedule 22:12 - 25 Tetor, 2021

Vetëm dy muaj pasi kishte bërë një mamografi që doli rezultate normale, Brikela Rada diktoi një gjendër në gjirin e majtë dhe e kuptoi që diçka nuk shkonte.

“Mbas dy muajsh duke bërë dush e ndjeva që diçka nuk shkonte në anën e majtë. Me thënë të drejtën u ftoha nga koka deri tek këmba. Nuk dija kujt t’i thoja përpara. I thashë bashkëshortit. Vajza më e madhe më mungonte se nuk ishte aty. Lajmërova shoqet e mia, lajmërova njerëzit e mi, pa ditur asgjë por diçka e ndjeva se ishte një gjendër goxha e madhe”, thotë ajo në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Pas disa vizitash dhe biopsisë, në mars 2017 ajo u diagnostikua me kancer gjiri, lloji më i përhapur i kancerit për gratë në gjithë botën.

Më pas Brikela, që banon në Staten Island të Nju Jorkut, mori një lajm tjetër sfidues. Kanceri që e kishte prekur ishte më agresivi, ai me tre receptorë negative, që nuk mund të trajtohet me terapi hormonale dhe ka prirjen të rritet dhe të përhapet më shpejt. Ishte në fazën e dytë, të tretë.

“Të them të drejtën, rasti i dytë që unë shpërtheva në lot, sepse nuk jam njeri që qaj kollaj, sa vajza e madhe u habit dhe tha ‘mami, mami OK, OK mos u shqetëso. Shtangu sepse nuk me kishte parë ndonjëherë një reagim të tillë nga unë”, thotë ajo.

Pas tronditjes së parë, Brikela që vetë thotë se gjithmonë ka qenë natyrë e prirur nga optimizmi dhe pozitiviteti, vendosi se mënyra e vetme për të reaguar ishte të luftonte sepse sipas saj nuk kishte “kthim prapa”.

“Edhe pse kisha mbështetjen e bashkëshortit, vajzave, shoqeve, njerëzve të mi, patjetër duhet ta luftoja vetë këtë, se ishte e pamundur… po të mos isha unë vetë ajo luftëtarja, nuk më ndihmonte dot asnjeri për këtë pjesë”, thotë nëna e dy vajzave.

Beteja e saj kundër kancerit zgjati për katër vjet, pasi iu rikthye dy herë.

“Do ta luftoja prapë. Nuk kisha zgjidhje tjetër”, thotë ajo.

Në një betejë që nuk është vetëm fizike, por edhe emocionale dhe psikologjike, dhe me një trajtim që sjell edhe ndryshime të mëdha nga ana fizike, Brikela thotë se që në fillim vendosi të mos mbante parruke, por vetëm vinte shami shumë ngjyrëshe, të lidhura bukur.

“Doja ta shihja veten time para pasqyrës ashtu siç isha”, thotë ajo.

Ajo gjithashtu vazhdoi një jetë sa më normale që mundej, dhe mes seancave të kimioterapisë dhe rrezatimit vazhdonte të shkonte në punë dhe të kishte një jetë sociale.

Mesazhi i saj për gratë dhe vajzat që përballen me këtë sëmundje, në këtë muaj ndërgjegjësimi ndaj kancerit të gjrit, është që t’i japin kurajo vetes.

“Unë këtë ia dedikoj vetes sime, falë temperamentit tim, karakterit tim. Patjetër edhe shoqërisë dhe njerëzve sepse siç thashë unë jam familje e madhe dhe kam njerëz të mrekullueshëm që më rrethojnë”, thotë ajo.

Por përveç kësaj ajo këshillon kontrolle të rregullta nga vetë gratë

“Patjetër kontrolle tek mjeku, sepse vetëm nëpërmjet kontrollit ne mund të mposhtim gjithmonë, sidomos këtë lloj sëmundjeje që ka marrë përmasa të mëdha”, thotë ajo.

Prej një viti e gjysëm ajo nuk ka më kancer.

 

Kanceri i gjirit në shifra

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vitin 2020, u diagnostikuan 2.3 milionë gra me kancer gjiri në shkallë globale. 685 mijë gra vdiqën prej kësaj sëmundjeje.

Në Shtetet e Bashkuara, një ndër tetë gra do të preken nga kanceri i gjirit.

Në Shqipëri, identifikohen mesatarisht 700 raste në vit me kancer gjiri, ndërsa në Kosovë këtë vit nga janari deri në tetor janë regjistruar rreth 300.

Falë parandalimit dhe kurave, vdekshmëria nga kjo sëmundje ka rënë ndjeshëm./VOA