Një brez i tërë armenësh është zhdukur nga konflikti në Nagorno-Karabakh

schedule11:18 - 17 Nëntor, 2020

schedule 11:18 - 17 Nëntor, 2020

Në një intervistë për greken Protothema, presidentja e grekëve të Armenisë u shpreh se një brez i tërë armenësh janë zhdukur nga konflikti i Nagorno-Karabakh.

“Fatkeqësisht, një brez i tërë armenësh u zhdukën në vorbullën e luftës,” shprehet Maria Lazareva, presidente e Unionit të Komunitetit Grek të Armenisë, ajo përshkroi shtypjen dhe zemërimin e njerëzve në Armeni si pasojë e tragjedisë së re kombëtare që po përjetojnë pas tragjedisë: humbjes në Nagorno-Karabakh.

Ditët e fundit me mijëra armenë nga zonat e Nagorno-Karabakh, të pushtuara nga azerët herën e fundit, braktisën çdo gjë që kishin brez pas brezi, për t’u zhvendosur në zonat e lira të Armenisë, por më parë dogjën shtëpitë e tyre, dhe morën eshtrat e të vdekurve për t’i pasur pranë vetes.

Historia përsërit vetveten, dhe njëherë më shumë Armenia u la vetëm. Me mijëra armenë nga tokat e pushtuara nga Azerbajxhani po lëvizin drejt tokave të lira në Armeni. Një situatë që rikujton skenat e genocidit të vitit 1915 nga turqit e rinj.

Njerëzit në Armeni i hapin dyert për ata që kanë nevojë për një strehë, duke i siguruar përkohësisht dhe me ushqim dhe veshje. Është një përpjekje vullnetare kombëtare në këto kohë të vështira”, shprehet Lazareva, duke theksuar se Armenia jo vetëm është përballur me Azerbajxhanin në fushëbetejë, por është përballur dhe me mbështetësit e tij, Turqinë dhe Izraelin, që i kanë dhënë Azerbajxhanit mjete dhe ndihmë logjistike gjatë operacioneve ushtarake.

 

 

 

Në këtë njëjtën kohë, kriza politike në Armeni po intensifikohet, me partitë e opozitës dhe mijëra njerëz që vijojnë të protestojnë kundër qeverisë së kryeministrit Nigol Pasinyan, duke e fajësuar atë për tragjedinë kombëtare që po përjeton vendi. Të hënën, presidenti armen kërkoi në mënyrë të drejtpërdrejtë dorëheqjen e qeverisë së Pasinian dhe krijimin e një qeverie të Unitetit Kombëtar që do e çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja.

“Fatkeqësisht, gjatë këtyre kohëve të vështira për Armeninë, shoqëria është ndarë në mënyrë të rrezikshme në dy kampe. Njëra palë pretendon se ndërhyrja e Rusisë ishte një gjë e mirë, përndryshe do të kishte gjakderdhje; ndërsa pala tjetër flet për tradhti dhe katastrofë kombëtare,” shton më tej ajo duke nënvizuar se në këto kohë të vështira është shumë e rëndësishme të ketë unitet mes armenëve.

“Ka endë të burgosur, njerëz që rezultojnë të humbur, dhe një numër të pacaktuar viktimash. Përpjekjet për strehimin dhe rehabilitimin e refugjatëve kanë nisur kudo në vend, por kjo do të kërkojë kohë.”

 

 

 

Për sa i përket shqetësimit të komunitetit grek të Armenisë, nuk ka asnjë të dhënë që të ketë viktima me origjinë greke nga konflikti i fundit në Nagorno-Karbakh.

Lazareva mohoi në mënyrë kateforike se është publikuar një listë me emrat e shtatë zyrtarëve grekë të cilët kanë luftuar në anën e forcave armene, dhe që dy prej tyre humbën jetën:

“Ky është një lajm i rremë dhe propagandë, dhe nuk ka të bëjë fare me realitetin,” përfundoi ajo. s.ba/abcnews.al