“Një artist kaq i madh të vdesë fukara”, miqtë e Gulielm Radosë flasin me lot në sy: E pabesueshme

schedule12:30 - 7 Maj, 2021

schedule 12:30 - 7 Maj, 2021

Ditën e sotme është përcjellë në banesën e fundit, aktori i mirënjohur i skenës shqiptare, Gulielm Radoja.

Ka qenë miqtë dhe kolegët e tij që kanë ndarë disa nga kujtimet që kanë kaluar me aktorin për mikrofonin e ABC.

LEXO EDHE:  VIDEO/ Përcillet për në banesën e fundit Gulielm Radoja, cili ishte amaneti i fundit i aktorit

Ish-drejtori i Teatrit të Durrësit, Bardhyl Agasi e ka konsideruar këtë humbje të pabesueshme.

“Një nga vlerat e mëdha kombëtare pavarësisht se ishte i Teatrit të Durrësit, por kontributin më të madh e kishte në kinematografi dhe me interpretimet që ka bërë ka shkëlqyer gjithmonë. Mbetet pa frikë nderi i kombit Gulielm Radoja. Shikoni sa njerëz janë mbledh megjithëse është një kohë e vështirë, Gulielmi me shpirtin e tij të madh, hokatar gjithmonë, njeri shumë i thjeshtë sikur të mos ishte ai artisti i madh, me një humor brilant i bënte njerëzit për vete. Ngushëllime për familjen është një humbje shumë e madhe”.

Aktori dhe ndër miqtë më të mirë të Radosë, Roland Koça ka ndarë disa nga momentet më të bukura që kanë me njëri-tjetrin, duke theksuar se Gulielmi nuk ishte mirë nga gjendja ekonomike dhe vetëm falë Këshillit Bashkiak u bë me shtëpi.

“Me Gulielmin kishim marrëdhënie jashtëzakonisht të mira shoqërore. Për mua ishte një njëri jashtëzakonisht simpatik, jo nga pamja se pamja e tregon vetë që ishte mashkull shumë i bukur, por në shpirt si një njëri jashtëzakoshtë i mirë, preferonte shumë shakatë, kishte qejf kur e ngacmonin të ngacmonte, qeshte me lot.

Këtu në Durrës të dy me një biçikletë shëtisnim, pra një artist kaq i madh të vdesi fukara. Shyqyr që ja dhanë një banesë sociale sepse ai për momentin nuk kishte besim që do e merrte shtëpinë. Shyqyr Këshilli Bashkiak që e vlerësoi dhe mori shtëpinë. Sot më duket e pabesueshme se takoheshim përditë”.

Ndërsa regjisorja Driada Dervishi me lot në sy ka thënë se kjo është një ditë e trishtë jo vetëm për familjarët e aktorit por të gjithë shqiptarët.

“Është një dhimbje shumë e madhe që në radhë të parë u takon familjarëve, por zysh Lida me shumë modesti tha që Guliemi nuk ishte vetëm i imi por i gjithë shqiptarëve. Ndaj unë besoj që kjo humbje është për të gjithë. Është një ditë shumë e trishtë, ndoshta nuk do na duket e pabesueshme nesër pasnesër kur ne të shikojmë gjithë pasurinë e madhe që na ka lënë ne dhe brezave që do të vijnë. Edhe them disi do ngushëllohemi duke ndjekur rolet, filmat e tij të mrekullueshëm që na ka lënë”./abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!