Zëvendës presidenti global për Komunikimin Ndërkombëtar të Philip Morris International, Tommaso Di Giovanni, në një intervistë për “ABC e mëngjesit” ka treguar sesi novacionet e viteve të fundit po transformojnë industrinë e duhanit.
LEXO EDHE: Transformimi i industrisë së duhanit drejt të ardhmes pa tym
Në një kohë, ku numri i duhanpirësve në botë vazhdon të jetë i lartë dhe nuk duket se do të bjerë nëse gjërat nuk ndryshojnë, ai ka zbuluar produktet, të cilat zëvendësojnë cigaren e zakonshme, që në djegie lëshon kimikate të dëmshme, bashkë me tymin.
Sakaq, Tommaso Di Giovanni ka dhënë edhe një mesazh për qeverinë shqiptare, duke theksuar se shteti ka një rol kyç në dhënien e këtij informacioni dhe kjo mund të bëhet përmes rishikimeve të legjislacionit, i cili është krijuar në kohën kur kishte vetëm cigare me djegie, dhe kur nuk kishte produkte pa tym të bazuara tek shkenca dhe tek teknologjia aktuale.
Intervista e plotë:
Zoti Di Giovanni, prej disa kohësh kompania juaj ka nisur të ndajë publikisht nismat që po bën për transformimin e industrisë së duhanit. Në çfarë konsiston dhe çfarë do të thotë kjo për duhanpirësit nëpër botë?
Tommaso: Ne kemi investuar prej më shumë se 20 vitesh, në kërkime shkencore dhe zhvillim produktesh më pak të dëmshme si alternativa ndaj cigares për t’u ofruar konsumatorëve tanë një opsion më të mirë në rastin kur ata zgjedhin të mos e lenë duhanin, që gjithsesi mbetet vendimi I duhur. Dhe ia kemi dalë. Po e transformojmë kompaninë tonë për të bërë të mundur që një ditë të mos ketë më cigare, por vetëm produkte pa djegie, të bazuara në shkencë, që janë një zgjidhje më e mirë. Sot që flasim, transformimi ynë është kaq intensiv, sa kemi më shumë se 400 shkencëtarë të cilët punojnë pa pushim për produkte me risk të reduktuar. 98% e kërkimeve tona dhe mbi 70% e shpenzimeve tona u dedikohen vetëm këtyre produkteve. Gati 18 milionë konsumatorë nëpër botë kanë kaluar nga cigarja me djegie, në pajisjen tonë për ngrohjen e duhanit, IQOS. Dhe 25% e të ardhurave tona vijnë nga ky produkt. Ende nuk kemi arritur aty ku do të donim ne, por po punojmë me ambicie që në 2025-ën 40% e shitjeve tona të jenë produktet më të mira. Mendoj se po e arrijmë me hapa mjaft të shpejtë.
Si e gjykoni ju perceptimin mbi produktet pa tym në të gjithë botën?
Tommaso: Është një nga pengesat më të mëdha për ndryshimin pozitiv që po përpiqemi të ndodhë, në aspektin që ka akoma keqkuptime për atë se çfarë i shkakton sëmundjet që lidhen me duhanin. Dihet se pirja e duhanit bën keq, por ende nuk e kuptojmë se nuk është nikotina shkaku i këtyre sëmundjeve. Nikotina nuk është pa risk, nikotina shkakton varësi, por nuk është ajo shkaku kryesor i këtyre sëmundjeve. Shkaku kërkohet në mbi njëqind elementet toksikë të cilët gjenden tek tymi i cigares, pjesa më e madhe e të cilëve çlirohen nga djegia e cigares. Kështu, nëse ne eleminojmë djegien kemi produkte me nivel shumë më të ulët të kimikateve toksike dhe që janë një alternativë më e mirë. Kjo tanimë është e qartë. Ka autoritete shkencore nëpër botë të cilat e pohojnë qartësisht. Administrata Amerikane e Barnave dhe Ushqimeve, Instituti i Shëndetit Publik në Britani… ndryshimi po ndodh dhe konsensusi është gjithmonë e më i fortë, por informimi i konsumatorëve mbetet shumë i rëndësishëm.
Cili ka qenë sipas jush, momentet kyçe gjatë këtyre viteve?
Tommaso: Për ne, ka qenë mendoj momenti kur kemi nisur t’i komercializojmë këto produkte në 2014-ën. Në 2016-ën kemi ndërmarrë një angazhim serioz për t’i zëvendësuar të gjitha cigaret me produkte më pak të dëmshme të bazuara në shkencë dhe më pas, vitin e kaluar në korrik, ka patur një vendim shumë të rëndësishëm nga Administrata Amerikane e Barnave dhe Ushqimeve, e cila ka rishikuar të gjitha evidencat shkencore në lidhje me pajisjen tonë me ngrohje IQOS. Bëhet fjalë për qindra mijëra faqe dëshmish shkencore mjaft të përparuara. FDA-ja doli kështu në përfundimin se mund ta komercializojmë pajisjen në Shtetet e Bashkuara si produkt me risk të modifikuar, duke u shpjeguar konsumatorëve se përdorimi i këtij produkti në vend të cigareve klasike, redukton në mënyrë të konsiderueshme ekspozimin ndaj substancave toksike që gjenden tek tymi. Duke e pohuar këtë, po i japin shtysë edhe promovimit të shëndetit publik në Shtetet e Bashkuara. Padyshim një vendim shumë i rëndësishëm, të cilin ne shpresojmë që këtë qasje të bazuar në shkencë ta ndjekin edhe shtete të tjerë për të promovuar ndryshimet e shpejta në shëndetin publik. Shumë shtete po e bëjnë si Italia, Greqia, Bullgaria, Mbretëria e Bashkuar me cigaret elektronike. Të tjerë ende s’e kanë përshtatur akoma legjislacionin e tyre, por me siguri do ta bëjnë shumë shpejt, pasi nuk do mend që kur produktet ndryshojnë, do të duhet të ndryshojë edhe legjislacioni në mënyrë që të krijojë kushtet për përmirësimet e shëndetit publik.
Në mbyllje, cili është mesazhi juaj për duhanpirësit e rritur, çfarë do të donit që institucionet në Shqipëri të dinin për ju?
Tommaso: Sipas meje, duhanpirësit, më shumë se 1 miliardë në të gjithë botën dhe 850 mijë në Shqipëri, duhet të kenë një mesazh të qartë dhe shumë të drejtpërdrejtë: Ta lësh krejtësisht duhanin, është gjëja më e mirë për t’u bërë. Nëse nuk e ke nisur, mos e fillo duhanin.
Por e vërteta është se pjesa më e madhe e duhanpirëse vazhdon të pijë cigare. Këta, kanë të drejtën t’u jepet një tjetër mesazh: Atë që alternativat pa tym, të bazuara në shkencë, janë një zgjedhje më e mirë për shëndetin e tyre. Kështu, duhet të inkurajohen që t’i zëvendësojnë cigaret me tym me alternativa të tjera. Sa i takon qeverive, mendoj se kanë një rol shumë të rëndësishëm. Sepse shteti ka një rol kyç në dhënien e këtij informacioni, shteti mund të thjeshtësojë ndryshimin dhe mund të kurojë informacionin që del. Kjo, mund të bëhet përmes rishikimeve të legjislacionit, i cili është krijuar në kohën kur kishte vetëm cigare me djegie, dhe kur nuk kishte produkte pa tym të bazuara tek shkenca dhe tek teknologjia aktuale./abcnews.al