Nisja e punës së Frontex, Avramopulos: Hap historik

schedule12:17 / 21/05/2019

Komisioneri për migracionin në Bashkimin Europian, Dimitris Avramopolus, gjatë një konference për mediat bashkë me kryeministrin Edi Rama dhe drejtorin e Frontex Fabrice Leggere theksoi se falë bashkëpunimit kjo agjenci ofron mbështetje edhe për vendet fqinje.

Ai e konsideroi nisjen e punës së Frontex në Shqipëri si një hap historik. Komisioneri deklaroi se Shqipëria do të mbetet përgjegjëse për mbrojtjen e kufijve të saj.

“Sot jemi duke parë një shembull konkret të mënyrës se si kemi një bashkëpunim të përkryer mes Frontex dhe sesi kjo agjenci mund të ofrojë mbështetje në rritje, për vende fqinje. Nesër do kemi skuadrat e para të Kufirit dhe Rojeve Bregdetare evropiane që do të vendosen në Shqipëri. Ato do të mbështesin Rojen Bregdetare me pajisje dhe staf në pikat kyçe të kufirit me Greqinë. Ky është një hap historik. Është hera e parë që Frontex vendoset në një vend joevropian. Kur flitet për menaxhimin e mbrojtjen e kufijve tanë, sfidat janë të përbashkëta. Përgjigja duhet të jetë e përbashkët. Kjo është arsyeja pse po punojmë bashkë.

Shqipëria mbetet përgjegjëse për mbrojtjen e kufijve të saj, dhe të gjitha aktivitetet që regjistrohen nga Agjencia e Kufirit dhe Rojes Bregdetare evropiane do realizohen në bashkëpunim me autoritet shqiptare, por edhe në bashkëpunim me shtetin anëtar të BE. Ajo që do ofrojë agjencia është ndihma dhe mbështetja e plotë në frymën e besimit dhe bashkëpunimit të ndërsjelljtë. Kjo është në interesin tuaj, por njëkohësisht edhe për rajonin. Hap pas hapi rajonin e Ballkanit Perëndimor po e çojmë më pranë BE-së aty ku ky rajone ka vendin. Po hapim rrugën për një mjedis stabël gjeopolitik”, tha Avramopulos.

Ndërsa kryeministri Rama e cilësoi bashkëpunimin me Frontex si mundësi të artë kundër luftës së krimit të organizuar.

“Na jep një mundësi të artë për të forcuar bashkëpunimit me Frontexin edhe në funksion të luftës kundër krimit të organizuar, duke qenë të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e suksesit në këtë nismë që në vijim do të pasohet nga të tjera në të tjera vende të rajonit tonë. Është një moment i thellimit të sigurisë mes BE dhe Ballkanit Perëndimor dhe përbën një nga gjashtë vektorët e strategjisë së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Dua ta falënderoj komisionerin për angazhimin e tij të posaçëm në këtë projekt strategjik për Ballkanin Perëndimor”, tha Kryeministri./abcnews.al

schedule12:17 / 21/05/2019