Ndërpriten gërmimet për eshtrat e italianit në burgun e Burrelit, ankohen ndërkombëtarët

schedule16:11 - 1 Tetor, 2020

schedule 16:11 - 1 Tetor, 2020

Pas gati 70 vitesh nga vdekja e babait të tij në Shqipëri, Aldo Renato Terrusi kërkon eshtrat e tij në burgun e Burrelit, aty ku Giuseppe Terrusi ndërroi jetë.

Italiani u burgos aty në vitin 1945 pas akuzave nga partia Komuniste se si drejtor i bankës italo shqiptare në Vlorë ua dorëzoi atë me dëshirë gjermanëve. Giuseppe Terrusi vdiq 7 vite më vonë në qelinë e tij. Këtë të enjte në oborrin e burgut të Burrelit është shfaqur eskavatori në gjetje të eshtrave të tij.

Por teksa gjatë gërmimeve kanë dalë në sipërfaqe dhe eshtra të viktimave të tjera të diktaturës, është urdhëruar që kërkimet të ndërpriten. Në faqen e saj në facebook kreu i Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula njofton nisjen e gërmimeve që sipas saj drejtohen nga Task-Forca e posacme. Vetëm pak momente pas nisjes së kërkimit procesi është ndërprerë. ABC News mëson se grupi i punës është ngritur nga kryeministri Rama pa dijeninë e organizatës ndërkombëtare ICMP.

Gërmimet në oborrin e burgut të Burrelit për gjetjen e gjurmëve të varreve të humbur në komunizëm pritet të rinisin një moment të dytë pas hartimit të një protokolli sipas standardeve të konventës së OKB-së që do të hartohet me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur. Drejtoresha e AIDSSH u kërkon familjarëve të tyre që të kenë durim pasi do të jetë një proces i gjatë./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!