Ukraina ka filluar bisedimet online me partnerët për zgjatjen e eksportit në Detin e Zi që synon të sigurojë që Kievi të vazhdojë të dërgojë grurë në tregjet globale, tha të martën një burim i lartë i qeverisë ukrainase.
Sipas burimit, Ukraina nuk kishte zhvilluar diskutime me Rusinë, e cila bllokoi portet e Detit të Zi të Ukrainës pas pushtimit të saj vitin e kaluar, por se Kievi e kuptonte që partnerët e saj po bisedonin me Moskën.
“Situata me negociatat është mjaft e ndërlikuar. Tani shumë nuk varet nga ne, por nga partnerët”, tha burimi, i cili foli për Reuters në kushte anonimiteti.
Nisma e grurit të Detit të Zi u ndërmjetësua nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia korrikun e kaluar dhe u zgjat deri në nëntor, por ajo do të skadojë më 18 mars, nëse nuk arrihet asnjë zgjidhje.
Yuriy Vaskov, zëvendësministri i Ukrainës, tha muajin e kaluar se Kievi do t’u kërkonte të gjitha palëve të fillonin bisedimet për zgjatjen e marrëveshjes me të paktën një vit dhe se Ukraina donte që qyteti i porteve të Mykolaiv të ishte pjesë e marrëveshjes.
Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu tha javën e kaluar se Ankaraja po punonte shumë për të zgjatur marrëveshjen ndërsa Rusia ka sinjalizuar se është e pakënaqur me aspektet e marrëveshjes.
Moska ka thënë se do të pranojë të zgjasë marrëveshjen vetëm nëse merren parasysh interesat e prodhuesve të saj bujqësorë.
/abcnews.al