Kreu i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Bujar Nishani e ka quajtur liderin e selisë blu një personazh që e ka ndërtuar karrierën politike mbi bazën e hileve dhe intrigave. “Lulzim Basha e ka ndërtuar të gjithë karrierën e tij politike mesa kam kuptuar unë mbi hile dhe intriga të vockla. Në qoftë se Lulzim Basha do të kishte kurajo dhe do të ishte burrë dhe lider siç duhet të jetë dikush, del dhe mban një qëndrim. Lulzim Basha ka kërkuar gjithmonë që përgjegjësinë e dështimeve ta ndajë me Sali Berishën.”
I ftuar në “Spotlight”, Nishani ka pohuar se ish-lideri historik i PD-së Sali Berisha ka bërë gabim që ka mbështetur Lulzim Bashën. “Është e vërtetë që ka patur mbështetje nga z.Berisha për Lulzim Bashën. Është ‘ashiqare’ i themi ne shqiptarët. S’e mohoj dot këtë. A ka bërë mirë, a ka bërë keq, nuk e di, historia do ta tregojë. Sot që po flasim, pas 8 viteve opozitë, z.Basha është një dështim. Z.Berisha ka përgjegjësitë e veta morale që e ka mbështetur z.Basha.”
Lidhur me garën në PD, kur më 13 qershor pritet të zgjidhet kryetari i ardhshëm i Partisë Demokratike, Nishani u shpreh se Berisha është i mërzitur me stanjacionin ku është tashmë selia blu. Sipas Nishanit, Berisha tashmë nuk mbështet asnjë kandidat. “Ai është i mërzitur me procesin dhe me stanjacionin ku është Partia Demokratike. Patjetër edhe me z.Basha, sepse ai është kryetari i partisë dhe ai po e mban të bllokuar, po e mban këtë lloj pengu.
Ndryshe nga 2013-ta, unë nuk shoh asnjë angazhim nga z.Berisha për të ndikuar apo për të mbështetur asnjërin prej kandidatëve. Aq më tepër që mbrëmë z.Berisha ka mbajtur një qëndrim shumë të qartë duke thënë se nuk ishte dhe nuk është koha e garës për kryetarin brenda Partisë Demokratike.”/ Abcnews.al