Parlamenti është mbledhur këtë të hënë në orën 18:00 për të nisur sesionin e ri parlamentar. Pavarësisht se sot është ditë pushimi për shkak të festës kombëtare të shenjtërimit të Nënë Terezës, Kuvendi pritet të mblidhet sipas përcaktimit kushtetues.
4 nismat e propozuara nga mazhoranca dhe opozita për hapjen e plotë të dosjeve ai si dhe ndalimin e kandidimit të personave që kanë qenë ish-bashkëpuntorë të sigurimit të shtetit, do të nisin zyrtarisht diskutimet në sesionin e ri parlamentar.
Në rendin e ditës së seancës së sotme është miratimi i procesverbaleve të seancave plenare të datave 21.7.2022, 24.7.2022 dhe 28.7.2022.
Gjithashtu në rend të ditës është edhe shqyrtimi i njoftimeve për çështjet e depozituara në Kuvend.
Në rendin e ditës është edhe njoftimi për programin e punës së Kuvendit për periudhën 5 shtator – 14 tetor. Po ashtu, Kuvendi pritet të shqyrtojë edhe njoftimin për kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 5 shtator – 30 shtator.
18:58- Kuvendi nis me ligjin e “spiunëve”, Balla – PD-së: Na mbështesni, ish-sigurimsat janë kriminelë
Sot ka nisur punimet legjislatura e X e Kuvendit të Shqipërisë, që është hapur me një fjalë nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla, e cila renditi disa prej punëve të Parlamentit, si dhe renditi detyrat e reja.
Teksa mori fjalën në foltoren e Kuvendit, Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, u ndal tek nisma e PD dhe PS për të ndryshuar ligjin e hapjes së Dosjeve të bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit.
Sipas agjendës, seanca e parë plenare pritet të jetë më tepër e natyrës teknike, ku ligjvënësit do të njihen për çështjet e depozituara në Kuvend nga socialistët.
Me anë të një projektligji, kërkohet dënimi i krimeve të së kaluarës, duke vendosur në sitë të gjithë figurat publike pavarësisht nëse ata kanë një certifikatë të pastërtisë së figurës nga komisionet Mezini-Bezhani.
Po ashtu kërkohet edhe ndërhyrja në Kodin Zgjedhor, në mënyrë që të gjithë ata politikanë që kanë pasur lidhje më ish-sigurimin e Shtetit dhe strukturat e persekutimit komunist, të mos lejohen që të mbajnë apo të kandidojnë për poste publike.
Ndërkohë Taulant Balla, kërkoj mirëkuptimin e PD-së për të gjetur një rrugë të mesme për t’i dhënë fund pjesëmarrjes në Kuvend të ish-sigurimsave.
“Duam të marrim mbështetjen tuaj tek ligji i dekriminalizimit. Të shtojmë edhe përfshirjen e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shteti. Kriminelë janë edhe ata. Është në nderin e PD-së që të mbështesë këtë projektligj. Të gjejmë frymën e bashkëpunimit. Është një nevojë urgjente edhe për të zgjedhur avokatin e popullit.” tha Balla.
18:56 – “Jetojmë brenda një seriali kriminal”, Mesila Doda: Të rikthejmë normalitetin në vend
Deputetja Mesila Doda bëri thirrje për rikthimin e normalitetit në vend gjatë fjalës së saj në nisjen e sesionit të ri parlamentar.
Doda tha se duhen luftuar bandit e krimit dhe shtoi se opozita duhej të ishte e përfshirë në një debat për të bërë më të mirën për qytetarët shqiptarë dhe të linte pas përçarjen.
“Qeveria nuk mund të aplikojë eksperimente ekonomike. Mazhoranca nuk është ajo që duhet të jetë. E gjithë kjo situatë ka kaluar ato që quhen rregullat bazë të bashkëjetesës në demokraci. Na duket sikur jetojmë brenda një seriali kriminal me personazhe të paimagjinueshëm. Fjala në këtë vend është e fundit dhe bashkimi i politikës me krimin i ka zënë vendin asaj që duhej të ishte gjuha politike, ajo e denoncimit të aferave.
Në këtë parlament nuk pati asnjë debat kur u çelën negociatat. Parlamenti duhet të caktojë kalendarin e kornizës ligjore.
Opozita duhet të gjejë sinergjinë e të mos fyhen e shahen me njëri-tjetrin. Sot duhet të ishim të përfshirë në një debat për të bërë më të mirën për qytetarët shqiptarë, në vend të kësaj kemi hallin e bandave kriminale dhe monopoleve kriminale që kalojnë sa nga një dorë në tjetrën.
Koha e sotme duhet të ketë vetëm një kryefjalë: rikthimi i normalitetit në vend. Sot është momenti kur njerëzit normal të një vendi nuk janë në luftë me njëri-tjetrin, por me krimin”, tha Doda.
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla tha në fjalën e tij në nisje të seisonit të ri parlamentar se një komision i posaçëm është dakordësuar në konferencën e krytarëve, në lidhje me rolin e Kuvendit në procesin e anëtarësimit në BE.
Ai gjithashtu u ndal edhe te ligjet e propozuara nga Autoriteti i Dosjeve, duke i kërkuar edhe opozitës të mbështesë nismën për “despiunizimin e politikës shqiptare” siç e quajti ai.
“Sipas adetit, kryetari i grupit të shumicës i duhet që përveçëse të thotë me pak fjalë objektivat e mazhorancës në këtë sesion të tretë të kësaj legjislature, të them edhe dy fjalë mbi ato që u thanë nga kolegët e pakicës parlamentare. E falenderoj zonjën Açka për kujtesën që bëri për atë që përfaqëson 5 shtatori, që është edhe dita ndërkombëtare e bamirësisë. Kuvendi duhet të ketë më shumë vëmendje për sa i përket shtresave në nevojë.
Kuvendi nuk do të mbetet mbrapa sa i përket rolit që ka në çeljen e negociatave. Kuvendi ka rolin udhëheqës në këtë proces, të jetë e qartë edhe për qeverinë.
Kemi dakordësuar ngritjen e një komisioni të posaçëm për të ndryshuar rolin e kuvendit të Shqipërisë. Do jetë komision me mandat shumë të shkurtër për të përqasur rolin në këtë proces të ri. Komisioni i posaçëm duhet miratuar.
Çështja e despiunizimit të politikës shqiptare është me rëndësi dhe mendoj që ngjitja e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit në të gjitha majat e piramidës shtetërore të Shqipërisë, kërkon reflektim nga kuvendi. Grupi i PS ka depozituar dy projektligjet që erdhën si poropozim i Autoritetit të Dosjeve, kërkojmë edhe mbështetjen e opozitës. Kjo duhet bërë me urgejncë”, tha Balla.
Sali Berisha ka folur jashtë ambienteve të Parlamentit pas nisjes së sesionit të ri parlamentar. Ai tha se asnjë vendim apo nen nuk kishte të përfshirë interesin e shqiptarëve dhe solli në vëmendje rastin e Kosovës, ku qeveria ka marrë masa për të ndihmuar qytetarët në përballimin e krizës ekonomike.
Berisha: Një seancë pagane i turpëron paganët. Në një listë të gjatë vendimesh nuk kishte asnjë rresht të vetëm, asnjë nen dhe vendim për qytetarin shqiptar. Rikujtoj se vetëm dy ditë më parë, jo qeveria gjermane e cila dha 45 miliardë euro për qytetarët e saj, nuk e marr këtë shembull, por qeveria e Kosovës akordoi për qytetarët e saj 100 euro për çdo pensionist. Akordoi 100 euro për çdo student, 100 euro për çdo punonjës të ndërmarrjeve publike. 50 euro për çdo punonjës të administratës publike dhe dyfishoi fiks ndihmën ekonomike. E tëra kjo për të përballuar çmimet që sot në Kosovë, duke filluar nga nafta dhe të gjitha produktet bazë janë 30% më të ulëta se në Shqipëri.
Kurse ky parlament nuk ka asnjë vendim asnjë nen, ligj, për të mbështetur qytetarët shqiptarë në nevojë, në këtë periudhë që po vidhen në mënyrë të tmerrshme, duke shfrytëzuar edhe rritjen e çmimeve me bordet komuniste të Edi Ramës.
Parlamenti është shndërruar në një problem madhor për vendin sepse është shndërruar në një mbështetje të një sistemi që vjedh dhe mashtron qytetarët shqiptarë. Për qytetarët nuk ekziston asnjë interes minimal për t’i mbështetur, për të lehtësuar dhimbjen e tyre. Ka interes për të vjedhur. Ligji për amnistinë fiskale për të cilin flet me të madhe Edi Rama, ligji për dhunimin e medieve ishte në rend dite, ligji për kanabisin. Ka një kujdesje të veçantë që të sanksionohet me ligj ekonomia e krimit në Shqipëri apo krimi të kapë ekonominë shqiptare.
Berisha u shpreh se qeverisja e kryeministrit Edi Rama do të marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët këtë vjeshtë. Ndërsa i pyetur nëse do të ketë bashkëpunim me kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, Berisha tha se do të koordinohen dhe se do të ketë një aksion opozitar.
18:43- Alibeaj e nis me kritika: Punë të mbarë dhe jetë të shkurtër këtij Parlamenti
Me nota ironie, Enkelejd Alibeaj i ka uruar jetë të shkurtër Parlamentit në ditën e nisjes së sesionit të ri parlamentar.
Sipas kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, Parlamentit nuk mund t’i urohet punë e mbarë pasi është produkt i zgjedhjeve të vjedhura.
Alibeaj: E udhës është të thuhet gjithmonë punë e mbarë. Çfarë pune të mbarë mund t’i urosh këtij parlamenti? Punë e mbarë për ligjet e bëra me porosi? Punë e mbarë për fjalën e penguar të opozitës? Jo punë të mbarë për këto çështje nuk mund të ketë. Unë nuk shpresoj se edhe në këtë sesion do ketë punë të mbarë të këtij Parlamenti sepse është produkt i zgjedhjeve të vjedhura. Po t’i pyesësh sot shqiptarët askush nuk e sheh këtë parlament si vendin ku flitet për hallet e tyre. Një gjë do ta them. Punë e mbarë dhe jetë të shkurtër këtij Parlamenti.
18:36- “Interesi i pushtetit dominon mbi atë të shqiptarëve”, Mediu: Kush janë sfidat kryesore të qeverisë
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ishte i pari kryetar grupi që mori fjalën në sesionin e ri parlamentar të mbajtur pasditen e 5 shtatorit.
Mediu vuri theksin se sfidat urgjente me të cilat përballet qeveria. Në gjykimin e tij, Shqipëria po kalon kohë të vështira. Mediu theksoi se është urgjente garantimi i një reforme territoriale dhe zgjedhore.
Mediu: Sfidat politike qeverisëse, integruese dhe ato të qeverisë janë jashtëzakonisht të mëdha përballë gjithsecilit prej nesh. Shqipëria po jeton kohë të vështira. Pushteti dhe politika janë kthyer si qëllim në vetvete. Mendoj se kemi detyrim urgjent garantimin e një reforme zgjedhore që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. Po ashtu garantimin dhe mundësinë për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë. Një sfidë tjetër e rëndësishme është reforma territoriale. Pushteti lokal dhe financa duhet të jenë pranë qytetarëve, ata të vendosin. Parlamenti duhet t’i kthehet funksionit të tij kushtetues.
Korrupsioni dhe krimi janë kthyer në sistem dhe dominojnë jetën publike. Institucionet e rendisin Shqipërinë në vendet më të varfra dhe me korrupsionin më të lartë. Kemi edhe një krizë akoma më të rëndë dhe më të madhe, krizën e besimit të shoqërisë shqiptare, e cila reflektohet me largimin masiv të shqiptarëve. Kjo krizë po krijon një dëm të madh ekonomik, politik dhe social për gjithë Shqipërinë. Sot nuk ka dallim mes krimit dhe biznesit, me të mirës dhe të keqes, nuk ka dallim mes drejtësisë dhe padrejtësisë. Interesi i pushtetit dominon mbi interesin e shqiptarëve.
Mediu shtoi se të gjithë si deputetë duhet të gjejnë kush është rruga që duhet ndjekur për t’i shërbyer interesit të popullit shqiptar.
Ai shtoi se është detyrë e opozitës që t’i rikthejë besimin shqiptarëve.
Mediu: Opozita, ne, tej kësaj salle, kemi detyrim më madhor, tu rikthejmë besimin shqiptarëve. Duhet të marrin pjesë me gjithë ata në ndryshimin e vendit. Shqipëria ka me mijëra të rinj dhe të reja, intelektualë e profesionistë në Shqipëri, SHBA, Britani e Evropë që mund të jenë parlamentar të jashtëzakonshëm dhe mund ta bëjnë Shqipërinë vërtet evropiane.
18:31- Nis me debate sesioni i ri parlamentar, Shehu-Nikollës: S’ka asnjë përmirësim, po shkel rregulloren
Sesioni i ri parlamentar ka nisur me debate mes deputetit demokrat Tritan Shehu dhe kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla.
Shehu kërkoi fjalën për procedurë, por Nikolla nuk e lejoi të vazhdonte.
Debati:
Shehu: Erdha me mendimin që do korrigjohen gabimet, por po shkelet rregullorja. Nuk ka asnjë element përmirësimi. Në vend që të rregullonit atë që nuk ëhstë bërë mirë, bëni sërish gabime. Nuk u tha asnjë fjalë për rezolutën e propozuar për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë.
Nikolla: Kjo nuk është procedurë. Ju njoftova që kjo është vendimmarrja e konferencës së kryetarëve.


