Zëvendës ministrja, Belinda Balluku ishte në Divjakë ku edhe ka nisur procesi i targimit dhe regjistrimit të mjeteve bujqësore. Regjistrimi i këtyre mjeteve ka qenë një kërkesë e vetë fermerëve. Kjo nisëm rrit sigurinë rrugore si dhe ju jep autoriteteve mundësinë për të inventarizuar të gjithë flotën e mjeteve bujqësore në vend.
“Ne e kemi parë sesa e rëndësishme është kjo për të gjithë bujqit. Duhet thënë që i gjithë qarku i Fierit ka një kontingjent të rëndësishëm rreth 1250 mjete bujqësore dhe nuk janë pak. Vetëm këtu ku ndodhemi sot në Divjakë janë rreth më shumë se 300, të cilat ne do fillojmë ti regjistrojmë. Duhet thënë që ka një vështirësi shumë të madhe, pasi janë mjete edhe 30 vjeçare. Disa prej tyre nuk kanë asnjë lloj dokumentacioni sesi janë blerë, sesi janë zhdoganuar, por kjo është puna që DPSHTRR-ja do të bëjë dhe kjo është ndihma që ne do ti japim bujqve për ti dhënë një vlerë aseteve të lëvizshme të tyre bujqësore”, u shpreh Balluku.
Qeveria ka një vëmendje të veçantë tek bujqësia, pasi është një nga kontributorët kryesorë në të ardhurat e shtetit, tha ministrja duke shtuar se janë hartuar një sërë paketash mbështetëse ndaj këtij sektori.
“Targimi i këtyre mjeteve i jep vlerë mjetit për ju. Pra, jo vetëm ne na bën që të kemi një inventar të mirë të mjeteve bujqësore në të gjithë Republikën e Shqipërisë, por nga ana tjetër juve ju shton vlerën e asetit që keni. Sot keni një aset të pavlerësuar, i cili qarkullon i pa targuar në rrugë. Nga momenti që përmes një sakrifice për të thënë të drejtën, pasi DPSHTRR-së do ti duhet që të bëjë një pjesë të mirë të dokumentacionit të munguar, ne do të arrijmë që juve t’ju vlerësojmë këtë aset që keni, por nga ana tjetër edhe për vetë shtetin kjo është diçka shumë e rëndësishme pasi inventarizojmë të gjithë flotën bujqësore që kemi në vend”, nënvizoi Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.
Procesi i targimit dhe regjistrimit të mjeteve bujqësore ka nisur në të gjithë vendin. Stafet e DPSHTRR janë në terren pranë fermerëve për ti asistuar ata në përgatitjen e dokumentacionit dhe verifikimeve pa krijuar vonesa për fermerët.