Qarku i Beratit do të ketë së shpejti një sistem të menaxhimit të mbetjeve të ngurta, falë një projekti të mbështetur financiarisht nga shteti Zviceran. Berati është një zonë me potenciale turistike të jashtëzakonshme, ndaj menaxhimi i mbetjeve ka shumë rëndësi. Por falë këtij projekti do përfitojnë gjithë bashkitë e tjera të qarkut: Berat, Kuçovë, Ura Vajgurore, Skrapari e Poliçani. Pikërisht për të prezantuar startimin e këtij projekti të madh, u zhvillua të premten 14 shtator, në mjediset e Bashkisë Berat, takimi inaugurues i projektit për Menaxhimin e mbetjeve të Ngurta në këtë qark.
Në këtë takim merrnin pjesë zv Kryetarët e Bashkive Berat, Skrapar, Kuçovë dhe Ura Vajgurore si dhe përfaqësues të tjerë të këtyre bashkive. I pranishëm ishte zv ministri i Infrastrukturës dhe Energjitikës, z. Hantin Bonati, zv shefi i Misionit të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, z. Phillipp Keller si dhe përfaqësues të Flag, që do të koordinojnë zbatimin e këtij projekti. Përfaqësuesit e secilës Bashki shprehën mbështetje për projektin duke shprehur gatishmërinë për të dhënë kontributin e tyre dhe për të marrë masat e duhura që projekti të realizohet me sukses.
Përfaqësuesi i qeverisë z. Bonati tha se ky është një rast i mirë për qarkun Berat, një mundësi financimi nga Ambasada Zvicerane, që nuk e kanë qarqet e tjera. Ai tha se uji dhe mbetjtet janë një problem i trashëguar dhe prej dekadash nuk është bërë asgjë, ndaj ky është një moment i artë për një zgjidhje të qëndrueshme. Ndërkohë përfaqësuesi zviceran z. Keller tha se menaxhimi i mbetjeve nuk është thjesht një gjë e mirë, por një detyrë ndërsa Shqipëria aspiron për të hyrë në BE. Ai tha se suksesi i këtij projekti do të varet nga bashkëpunimi mes bashkive me njëra tjetrën dhe nga kontributi i palëve në projekt. Z.Keller tha se dikur Osumi përdorej nga fëmijët për t’u larë, dhe nga peshkatarët për të zënë peshq, ndërsa sot ai është shumë i ndotur, sa as fëmijët nuk lahen dot dhe as nuk ka peshk. Ai tha se u deshën dy tre vite që të bëhej studimi i fizibilitetit dhe të vihej sot me këtë projekt, ndërkohë që tashmë gjithçka do varet nga kontributi i Bashkive, si në burimet më të mira njerëzore për t’u angazhuar në këtë projekt por edhe në vullnetin e tyre për të kontribuar dhe për të sensibilizuar gjithë banorët e tyre për t’i mbajtur pastër lumenjtë dhe gjithë territorin.
Projekti për menaxhimin e mbetjeve të ngurta në qarkun Berat financohet nga sekretariati i shtetit zviceran për cështjet ekonomike SECO, mbështetur nga Infrastruktur & Umwelt në konsorcium me SEHLHOOF dhe Flag. Ky projelt është hartuar për t’u zbatuar në dy faza. Faza e parë ofron asistencë teknike, shërbime këshilluese dhe shërbime për zhvillimin e kapaciteteve ndërkohë që faza II e parashikuar në vijim do të fokusohet në realizimin e masave rajonale të investimit dhe në mbështetjen e nevojshme institucionale për vënien në punë të masave rajonale të investimit. Nevojat do paraqiten nga vetë Bashkitë ndërsa financimi do jetë 80 % nga shteti zviceran, dhe 20% nga secila Bashki. Takimi i radhës u la për në datën 26 shtator.