Kërkimi i trupave të zhdukur gjatë sistemit komunist pritet të nisë në qytetin e gurtë Gjirokastër. Në këtë kuadër përfaqësues të Autoritetit për Informimin e dosjeve e ish sigurimit, kanë zhvilluar takime me përfaqësues të pushtetit vendor për mundësinë e nisjes së gërmimeve pranë kalasë Argjiro, aty ku dyshohet qe mund të ketë trupa, kjo referuar faktit qe burgu i shtate penxhere ka funksionuar i tillë për vite me radhë gjatë regjimit komunist ku shumë persona kane ndërruar jetën apo janë ekzekutuar.
Kryetarja e këtij autoriteti Genta Sula thotë se numri i personave të humbur është shumë i lartë dhe nuk mund të ketë një shifër konkrete, ndërsa shton se pas shume përpjekjesh duket se me ne fund është çelur drita jeshile mbi dakordësinë me prokurorinë e përgjithshme për nisjen e gërmimeve ne zonat ku dyshohet të ketë varre masive apo te groposur nga regjimi asaj kohe.
Në periudhën 1944 – 1991, mbi 6.000 persona u ekzekutuan në Shqipëri me ose pa urdhër të gjykatës, kryesisht me pushkatim ose varje dhe trupat e tyre nuk iu kthyen pothuajse asnjëherë familjeve të tyre për varrim.
Sipas Instituti të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri, 5.577 burra dhe 450 gra u dënuan me vdekje dhe u vranë, ndërsa ka edhe raporte të shumta ku thuhet se të burgosur politikë vdiqën në burgjet apo kampet e punës si rezultat i torturave apo shkaqeve të tjera si për shembull, vetëvrasje. Edhe në këto raste trupat nuk i ktheheshin familjes, sepse në regjimin komunist trupi i të dënuarit mbetej në dispozicion të shtetit gjatë gjithë kohëzgjatjes së dënimit edhe në qoftë se ai vdiste. /Abcnews.al