Në mbledhjen e fundit të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, një nga vendimet e miratuara ishte edhe ai i krijimit të kursit të Drejtorit Teknik, një kurs risi që do të organizohet duke nisur nga muaji qershor nga Departamenti i Edukimit dhe Drejtoria Teknike në FSHF.
Ashtu sikurse edhe kurset e tjera të organizuara nga FSHF, qëllimi është të rritet niveli i profesionistëve që punojnë pranë klubeve shqiptare, e kësisoj të rritet edhe niveli i futbollit shqiptar. Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, në një prononcim për FSHF.org shpjegon rëndësinë e një figure të tillë pranë një klubi, i cili ka si detyrë të drejtojë akademitë e moshave dhe të identifikojë punët, strategjitë dhe talentet e rinj në futboll.
“Kur kam ardhur në Shqipëri, Presidenti i FSHF-së më kërkoi që të ndërtojmë një figurë që të drejtojë akademitë e klubeve tona. Dhe kështu, pas një viti pune, kemi menduar, së bashku me bashkëpunëtorët e mi të krijojmë figurën e ashtëquajtur “Drejtori Teknik“ i Akademive. Ne kemi krijuar kursin e dedikuar për këtë figurë.
Një kurs shumë specifik që do të zgjasë 8 muaj dhe që do të krijojë brenda një rruge teknike një figurë që të mund të drejtojë trajnerët përmes një metodologjie, strategjie dhe filozofie për të ndërtuar një talent të ri“- thotë Fulvio Pea, i cili tregon se në këtë kurs mund të marrin pjesë të gjithë trajnerët e pajisur me licencën UEFA PRO dhe UEFA A.
“Personat që mund të marrin pjesë në këtë kurs do të jenë ata të cilët janë të pajisur me një licencë UEFA PRO ose një licencë UEFA A. Sepse bazat duhet të jenë të mira, duhet të kenë njohuritë e duhura. Për këtë arsye kemi menduar që të krijojmë këtë kurs për ata të cilët kanë tashmë një licencë futbolli me disa njohuri“ – tregon Drejtori Teknik i FSHF-së, i cili shton se pse klubet duhet të kenë në përbërjen e tyre një figurë të tillë.
“Sipas pikëpamjes sonë, kjo figurë është e rëndësishme sepse mund të udhëheqë nivelin metodologjik dhe trajnerët të cilët punojnë çdo ditë me të rinjtë. Sepse të punuarit me të rinjtë e moshës 6-12 vjeç, nuk është njëlloj si të trajnosh të rinjtë e moshës 12-21 vjeç.
Kështu, të kesh një figurë që mund të identifikojë planet e punës, strategjitë, por edhe objektivat që mund të jenë teknikë, taktikë apo psikologjikë është shumë e rëndësishme për të krijuar një vazhdimësi në ndërtimin dhe formimin e një lojtari të ri“ – thekson Pea, i cili tregon se kur nis edicioni i parë i kursit për Drejtorë Teknikë dhe të ftuarit e parë të nderit që do të mbajnë leksion për pjesëmarrësit.
“Kursi nis më 3 qershor dhe kemi kënaqësinë të kemi të ftuar Roberto Samaden, i cili është një nga Përgjegjësit e Akademive të të Rinjve më të mirë në Itali, në mos më i miri. Ka punuar rreth 30 vite tek Interi dhe tek Atalanta. Në krah të tij do të jetë edhe Stefano Bonaccorso.
Roberto Samaden do të japë leksione mbi mënyrën se si duhet të organizohet një Akademi e të rinjve ndërsa Stefano Bonaçorso do të zbresë në fushë dhe do të demostrojë se si duhet të trajnohen fëmijët nga 6 në 12 vjeç“ – përfundon Fulvio Pea. /FSHF