Nis kërkimi i pajisjeve për identifikimin elektronik të votuesve, dy anëtarët e KQZ: 100% i realizueshëm

schedule15:48 - 14 Tetor, 2020

schedule 15:48 - 14 Tetor, 2020

Nga Esiona Konomi

Ky është dokumenti i parë mbi të cilin komisioneri Celibashi dhe nënkomisionerja Pelingu kanë hedhur firmën e përbashkët.

Ky grup pune është vënë në lëvizje për të gjetur kompani vendase apo të huaja që mund të sjellin në Shqipëri pajisje përmes të cilave mund të identifikohen votuesit në formë elektronike. Një kërkesë kjo prioritare e opozitës.

Dritan Çaka dhe Muharrem Çakaj janë dy anëtarët e Komisionit Rregullator nga ku do të nisë puna për blerjen e pajisjeve.

“Grupi i punës do të fillojë procedurat ligjore për marrjen e teknologjisë e cila më pas do të implementohet. Pra, fillojnë procedurat e prokurimit për të marrë këtë shërbim”,-tha Dritan Çaka, anëtar i Komisionit Rregullator në KQZ, i propozuar nga PS, gjatë një interviste për ABC News.

“Puna ka filluar për hartimin e aktit normativ për teknologjinë në zgjedhje. Nuk kemi asnjë lloj arsyeje të paragjykojmë”,-tha Muharrem Çakaj, anëtar i Komisionit Rregullator në KQZ, i propozuar LSI.

Edhe pse përfaqësojnë njëri PS-në e tjetri LSI-në, të dy besojnë se nuk ka qëllime sabotuese në KQZ për teknologjinë.

Muharrem Çakaj thotë se: “Sfidë më vete është dhe koha e shkurtër, por nëse ka vullnet të mirë është 100% i realizueshëm si projekt”.

“Vlerësojmë që është një punë voluminoze, e meqë zgjedhjet janë afërsisht pas 6 muajsh, kërkon një imoenjim më të madh nga të gjithë”,-u shpreh për ABC News Dritan Çaka.

“Besoj që këtu do të duket edhe vullneti i qeverisë, për të alokuar fondet. Deri në momentin që po flasim bashkë nuk ka asnjë arsye për të aluduar apo për të ngritur shqetësime. Vullneti deri tani duket i plotë dhe i sinqertë.”,-tha Muharrem Çakaj, anëtar i Rregullatorit.

Të njëjtën qasja ka dhe Dritan Çaka: “Është e vërtetë që koha është sfiduese, por ekziston një vullnet i plotë që të implementohet. Do të punohet pa orar dhe do të bëjmë të pamundurën për realizimin e teknologjisë në zgjedhje me 100% identifikim biometrik dhe pilotimi i votimit elektronik në 20 % të votuesve”.

I gjithë procesi i blerjes dhe përdorimit të pajisjeve teknologjike do të mbikqyret nga nënkomisionerja Lealba Pelingu e cila e ka këtë çështje detyrë specifike në KQZ. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!