Një mbledhje e prokurorëve në të gjithë vendin ka nisur që mëngjesin e sotëm dhe po vijon ende për zgjedhjen e 6 anëtarëve prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ky është një nga institucionet e reja të sistemit tonë të drejtësisë, që pritet të krijohet pas Reformës në Drejtësi. Nga 11 anëtarët e këtij organizmi, 6 prokurorë përzgjidhen nga mbledhja e prokurorëve, ndërsa 5 anëtarë nga Shoqëria Civile janë përzgjedhur më herët nga Kuvendi i Shqipërisë.
Ndër 6 prokurorët që zgjidhen sot si anëtarë të KLP-së, ndër 10 kandidatë, një është nga Prokuroria e Përgjithshme, 2 nga Prokuroritë e Apelit dhe 3 të tjerë janë nga Prokuroritë e Shkalles së Parë. 293 prokurorë po votojnë ndërkaq për zgjedhjen e 6 anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ngritja e këtij institucioni të rëndësishëm u parapri nga procesi i Vettingut të prokurorëve kandidatë për anëtarë të KLP-së./abcnews.al